Një muaj paraburgim për vjedhjen në Livoç të Gjilanit

Gjykata e Gjilanit ka caktuar paraburgim ndaj të pandehurit të dytë Riad Azemi për shkak të veprës penale vjedhje e rëndë.

Riad Azemi dyshohet se më 11 tetor, rreth orës 19.10, në fshatin Livoç i Epërm i Gjilanit, në bashkëveprim edhe me të pandehurit tjerë Jeton Tahiroviq, dhe Meriton Shaqiri, kanë hapur dritaren e katit të parë të shtëpisë së të dëmtuarit Veli Zeqiri dhe kanë hyrë në shtëpi nga ku kishin marrë stoli ari në vlerë prej 2.000 euro dhe 500 euro para te gatshme dhe ishin larguar ne drejtim të panjohur.

Prokurori i Shtetit në hapjen e seancës dëgjimore deklaroi se pas pranimit të kallëzimit penal ka ndërmarrë një mori veprimesh lidhur mekëtë vepër dhe se veprimet e mëtejme kishin çuar në arrestimin e të pandehurit.

“Me të ndërmarrë veprimet konkrete kemi ardhur në përfundim se hetimet duhet të bëhen edhe kundër të pandehurit Riad Azemi sepse së bashku edhe me dy persona të tjerë dyshohet se e kanë kryer veprën penale vjedhje e rëndë. Mbetemi pranë kërkesës për caktimin e paraburgimit të cilën e kemi dorëzuar me shkrim në Gjykatë”, deklaroi Prokurori i shtetit Agron Uka.

Mbrojtësi i të pandehurit sipas detyrës zyrtare avokati Musli Marovci e kundërshtoi kërkesën e prokurorit për paraburgim ndaj Azemit.

“Mbrojtja mendon se caktimi i masës së paraburgimit është një masë shumë e ashpër duke menduar se sikur të mbrojturit tim t’i shqiptohet njëra nga masat alternative si masa më të buta e konkretisht masa e paraqitjes së kohëpaskohshme në stacionin policor do të realizoheshin të gjitha kushtet në bazë të cilave kërkohet caktimi i masës së paraburgimit”, tha avokati Marovci.

Edhe i dyshuari tha se e përkrah fjalën e mbrojtësit të tij dhe nuk ka çka të shtojë tjetër.