Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli - Foto: Atdhe Mulla

Nesër përfundon afati për konfirmimin e aktakuzës ndaj Thaçit e Veselit

Nesër bëhen 6 muaj nga ngritja e propozim-aktakuzës  për krime lufte ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe Kryetarit të PDK-së,Kadri Veselit, që parasheh fundin e afatit kur aktakuza duhet të konfirmohet apo hedhet poshtë nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në qershor kishte njoftuar se ndaj  Thaçit dhe  Veseli kishte dorëzuar aktakuzën në Gjykatën e Specializuar për krime lufte.

Aktakuza i është dërguar Gjykatës më 24 prill 2020, në të cilën Thaçi e Veseli përmenden si të akuzuar  për vrasjen e 100 civilëve.

Gjyqtari i Procedurës Paraprake, është ende duke shqyrtuar bazueshmërinë e kësaj aktakuze  dhe aktakuza nuk është bërë publike ende.

“ Derisa një aktakuzë të bëhet publike, ajo mbetet konfidenciale së bashku me procedurat për rishikmin e saj”, thuhet në një përgjigje nga Dhomat e Specializuara për KALLXO.com

Ata madje kanë dhënë indicie se aktakuza mund të mos bëhet publike edhe deri në një dalje eventuale para gjyqit, të të akuzuarve.

“Rregullorja e Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara  siguron se nëse aktakuza konfirmohet ajo bëhet publike jo më vonë se nga paraqitja për herë të parë në gjykatë”, thuhet tutje në përgjigje.

Rregullorja e procedurës dhe provave para dhomave të Specializuara parasheh se gjykatësi nga data e pranimit të aktakuzës duhet të marrë një vendim për bazueshmërinë e saj jo më vonë se 6 muaj nga dita e pranimit.

“Gjykatësi i procedurës paraprake parashikon një datë për vendimin e vet, datë që në varësi të veçorive të çështjes gjyqësore, nuk është më vonë se gjashtë (6) muaj nga dorëzimi i aktakuzës dhe i materialit mbështetës.”

Andaj pasi aktakuza është dërguar më 24 prill nëse më 24 tetor do të bëhen 6 muaj nga dorëzimi i aktakuzës .

Rregullorja e obligon gjykatësin e procedurës paraprake  të  marrë vendim të arsyetuar me të cilin  e konfirmon aktakuzën  ose e hedh  atë tërësisht ose pjesërisht.

Në rast se konfirmohet aktakuza atëherë Thaçi dhe Veseli dhe të akuzuarit tjerë do të bëhen të akuzuar dhe ndaj tyre gjykatësi i procedurës paraprake mund të lëshojë një fletarrestim, një urdhër paraqitje  ose çfarëdo vendimi apo urdhri të paraparë në Ligj.

Në rast se aktakuza nuk konfirmohet nuk e pengon Prokurorin e Specializuar që më pas të dorëzojë aktakuzë të ndryshuar, ose të përfshijë të njëjtën akuzë në një aktakuzë të mbështetur nga prova të reja.

Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Në njoftimin e Dhomave të Specializuara ishte arsyetuar publikimi i njoftimit për këtë aktakuzë ende të pakonfirmuar pasi kjo nuk është praktikë e zakonshme.

“Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së”, ishte thënë në njoftim.

Të dy të akuzuarit janë ftuar për dëshmi në Hagë dhe janë shprehur se besojnë që me këtë proces do të vërtetohet pastërtia e luftës së UÇK-së.

Historiku i Gjykatës Speciale:

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.