Gjykata e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Mitrovicë, Prokuroria: I akuzuari e kërcënoi komandantin e Policisë

Në Gjykatën e Mitrovicës ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj të pandehurit Fadil Morina, i cili akuzohet për kanosje.

Seanca nuk u mbajt për shkak se mungoi i pandehuri por edhe i dëmtuari.

Gjyqtari Bekim Veliqi e shtyu gjykimin për në muajin gusht.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri e kishte kanosur komandantin e Policisë në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriqin.

Prokuroria pretendon se rasti ka ndodhur më 24 nëntor 2015 rreth orës 22:50, kur i pandehuri Fadil Morina kishte thirrur në stacionin policor në Veri të Mitrovicës, ku ishte lajmëruar polici kujdestar.

Sipas aktakuzës, i akuzuari kishte kërcënuar se “kur të dal nga burgu do t’ia q.. nanën, do t’ia gjuaj bombën komandantit Nenad Gjuriq”.

Prokuroria pretendon se i pandehuri kishte shkaktuar frikë tek i dëmtuari dhe familja e tij.