Foto: KALLXO.com

Mitrovicasi dënohet me burg dhe gjobë për drogë

Gjykata e Mitrovicës e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë të akuzuarin për narkotikë, Nexhmedin Veselin.

Vepra penale, sipas Prokurorisë së Mitrovicës, është kryer në tetor të vitit 2014.

Ndërsa ishte ndaluar nga Polica, gjatë kontrollit të veturës së markës “Ford“, në derën e automjetit, të akuzuarit pretendohet se i është gjetur një mulli për bluarjen e marihuanës dhe brenda në mulli kishte marihuanë në peshë prej 0.79 gram, të cilat i janë konfiskuar nga ana e Policisë.

Me këtë, Nexhmedin Veseli akuzohet se ka kryer veprën penale posedim i paautorizuar i narkotikëve.

Paraprakisht në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur në Gjykatën e Mitrovicës, Veseli e ka pranuar fajësinë për veprën.

“Ndjehem fajtor për veprën penale, se e kam përdorur në atë kohë ndërsa tash nuk jam përdorues. Që nga viti 2014 kam qenë me vendqendrim jashtë vendit“, tha para Gjykatës i pandehuri Veseli.

Pranimi i fajësisë nga i pandehuri u mbështet edhe nga prokurorja e rastit Jelena Marjanoviq, ndërsa u aprovua nga gjykatësi i rastit Bekim Veliqi.

Kurse me rastin e shpalljes se aktgykimit, i akuzuari Veseli u dënua me gjashtë muaj burgim me kusht dhe 300 euro gjobë.

Ndërsa për shpenzimet procedurale është obliguar që të paguajë 20 euro shpenzim, 20 paushall gjyqësor kurse në emër të fondit për kompensimin e viktimave 30 euro.