Mërgimtari dënohet me burg për sulm ndaj policëve

Mërgimtari Albert Shehu është dënuar me 6 muaj burgim për sulm ndaj dy policëve, Ismet Selmanaj dhe Hazir Tahiraj.

Ky dënim i është zëvendësuar me gjobë prej 6 mijë eurove.

Shehu po akuzohet se pasi ka marrë një gjobë nga policia, fillimisht kishte goditur dritaren e veturës së policisë, e pastaj kishte goditur me grushte e shqelma dy zyrtarët policorë.

Arsyeja e dhënies së gjobës nga ana e policëve ishte se Albert Shehu, në ulësen e përparme të pasagjerit kishte ulur një fëmijë nën moshën 12 vjeçare.

Ai jeton dhe punon në Zvicër ndërsa në kohën e incidentit kishte ardhur për pushime në Kosovë.

Në seancën e mbajtur sot, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bajram Kryeziu, duke shprehur keqardhje dhe duke i kërkuar falje të dëmtuarve, Albert Shehu kishte pranuar fajësinë.

“Unë zyrtarët policorë nuk i njoh, nuk kam pasur për qëllim që t’i sulmoj, por pasi kam goditur xhamin e tyre kanë dashur të më arrestojnë, më kanë shtri për toke dhe prej frikës nën ndikimin e sprejit i kam sulmuar”, kishte thënë tashmë i dënuari Albert Shehu.