Gjykimi ndaj Svetisllav Ivanoviqit, kryetar i Komunës së Novobërdës

Lejet e gjuetisë e ulin në bankën e të akuzuarit kryetarin e Novobërdës

Svetisllav Ivanoviq, kryetar i Komunës së Novobërdës 10 muaj nga seanca fillestare ndaj tij është ulur sot në bankën e të akuzuarit nën akuzat e Prokurorisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Svetisllav Ivanoviq akuzohet se në muajin nëntor të vitit 2017 në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Novobërdës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për Shoqatën e Gjuetarëve “Kalaja”, në Novobërdë dhe shkaktimit të dëmit Komunës se Novobërdës, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare.

Sipas prokurorisë, Ivanoviq i ka shkelur te drejtat e personit juridik “Ujku”, në atë mënyrë që ne kundërshtim me ligjin dhe udhëzimet administrative ka nxjerr njoftimin ku për vitet 2017/2018 shoqatës së gjuetarëve “Kalaja”, i ka dhënë në shfrytëzim tërë territorin e Komunës së Novobërdës duke i mundësuar përfitim material prej 11 mijë 260 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në kundërshtim me ligjin, Ivanoviq i ka dhënë shoqatës së njëjtë në shfrytëzim një zyre në objektin e Komunës së Novobërdës duke i shkaktuar dëm ne vlerë prej 960 euro.

Ivanoviq në seancën e sotme u deklarua i pa fajshëm.

Tutje Prokurori i shtetit Arben Kadriu deklaroi se aktakuza ka mbështetje në deklaratat e dëshmitarëve, në prova materiale si dhe në ekspertizën e ekspertit financiar, andaj si e tillë është e ligjshme.

“Pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe provave të prezantuara në fund të këtij shqyrtimi i akuzuari do të shpallet fajtor”, tha prokurori Arben Kadriu.

I akuzuari Svetisllav Ivanoviq deklaroi se në seancën e sotme do të mbrohet në heshtje.

“Nuk dua të flas asgjë lidhur me atë se për çka akuzohem”, tha shkurt i akuzuari Ivanoviq.

Tutje u dëgjua dëshmitari Hysen Zeqiri i cili deklaroi se qëndron prapa atyre që i ka thënë ne Polici dhe në Prokurori.

“Në këtë çështje konsideroj se jam i dëmtuar pasi që shoqatës time në mënyrë jo të rregullt ju ka marrë e drejta për gjueti dhe ju ka dhënë një shoqate tjetër (shoqatës Kalaja), pa tender dhe kur e kam pyetur kryetarin se pse ka vepruar ashtu, ai më pati thënë se nuk e di se si shkojnë punët e gjuetisë”, tha dëshmitari Hysen Zeqiri.

Edhe dëshmitari tjetër Avdullah Gashi deklaroi se mbetet pranë deklarimeve të dhëna në Polici dhe në Prokurori.

“Në kohën kur unë kam qenë drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kryetari e ka dërguar në Ministri të Bujqësisë në Prishtinë një njoftim që kinse shoqatës së gjuetisë “Ujku”, ju ka marrë terreni i gjuetisë dhe i njëjti (terren), ju ka dhënë shoqatës tjetër “Kalaja”, të njëjtin (njoftim), e ka nënshkruar në emër timin”, tha dëshmitari Avdullah Gashi.

Dëshmitari i fundit Goran Steviq deklaroi se “Unë jam kryetar i shoqatës “Kalaja”, e cila ka menaxhuar me gjithë terrenin e Komunës së Novobërdës, që nga viti 2007. Ne e kemi marr në menaxhim terrenin e Novobërdës sipas njoftimit të Komunës dhe vendimit të Drejtorit Avdullah Gashi. Terrenin e kemi marrë pa tender andaj të njëjtin vetëm e kemi mirëmbajtur. Shoqata “Ujku” e ka shfrytëzuar terrenin e Novobërdës para se të bëhet decentralizimi, pastaj një pjesë e Komunës së Gjilanit ju ka bashkangjitur Komunës se Novobërdës”, tha dëshmitari Goran Steviq.

Seanca e sotme u shtye për muajin dhjetor.