Kthehet në rigjykim rasti i ish-agjentes së sigurimeve në ish-kompaninë e sigurimeve ‘Dukagjini’
Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykimi rastin e Sanja Radojeviq, ish-agjente e sigurimeve në ish-kompaninë e sigurimeve “Dukagjini”.
Ky rast është kthyer në rigjykim nga gjykata e shkallës së dytë ajo e Apelit, pas ankesës së bërë nga prokuroria e Mitrovicës dhe përfaqësuesja e të pandehures, avokatja Fatmire Braha.
Apeli ka dhënë udhëzime për gjykatën e Mitrovicës që të vërtetohet mënyra se si janë zhvilluar hetimet për ngritjen e akuzës ndaj të akuzuarës Sanja Radojeviq.
Përveç kësaj, në aktvendimin e Apelit kërkohet nga gjykata e shkallës së parë që të caktohet një ekspert financiar për vlerësimin e dëmit.
Pas kësaj, trupi gjykues më kryetar Beqir Halili dhe anëtar Rafet Ismajli dhe Rrahman Beqiri kanë caktuar ekspertin Naser Rusinovci si ekspert financiar në këtë çështje.
Ndryshe sipas aktakuzës Sanja Radojeviq në periudhës kohore janar 2005 deri më 31 dhjetor 2006, duke ushtruar detyrën zyrtare – agjente pranë zyrës së sigurimeve ne ish-kompaninë e sigurimeve “Dukagjini”, ka përvetësuar detyrën zyrtare duke i sjellë vetës dobi pasurore përmes shitjes së policave nga autopërgjegjësia e sigurimeve në emër të llogarisë së kompanisë.
Aktakzua thotë se ndërsa nga mjetet e fituara nga shitja e policave në mënyrë simbolike një pjesë i kishte derdhur në llogarinë e kompanisë, pjesën më të madhe i kishte derdhur në llogarinë e vet bankare.
Sipas aktakuzës Radojeviq e ka dëmtuar kompaninë në vlerë prej 5.263.55 euro.
Edhe në seancën e sotme për këtë vepër që akuzohet nga prokuroria e Mitrovicës, e pandehura Radojeviq është deklaruar se nuk e ndien veten fajtore.
Me këtë rast shqyrtimi i sotëm shtyhet në kohë të pacaktuar, kurse shqyrtimi i ardhshëm do të caktohet pas pranimit të ekspertizës.
Në tetor të vitit 2018 ishte shpallur fajtore për veprën penale përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, ajo ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej dy vjetësh dhe dënim me gjobë në shumë prej 500 euro, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën prej tre vjetësh, nuk kryen vepër tjetër penale.