Shtëpia e viktimës Lirije Qerimaj dhe e bashkëshortit të saj, të pandehurit Skënder Qerimaj në LLaushë - Foto: KALLXO.com

Kërkohet ekzaminim psikiatrik i të dyshuarit për vrasjen e gruas në Llaushë

Avokati Elvir Imeri, mbrojtës i të pandehurit Skënder Qerimaj, i cili po dyshohet se është vrasësi i gruas së tij, Lirije Qerimaj, ka kërkuar që të njëjtit t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik.

Në një prononcim për KALLXO.com, avokati Imeri ka thënë së kërkesën që i pandehuri t’i nënshtrohet një ekzaminimi psikiatrik e ka bërë bazuar edhe në vetë deklaratën e viktimës të dhënë më 1 janar.

“Pasi i bëra një vështrim kërkesës së Prokurorisë për caktimin e paraburgimit dhe duke u bazuar në deklaratën e të mbrojturit tim që kishte dhënë në stacionin policor në Mitrovicë si dhe duke u bazuar në deklaratën që e kishte dhënë ditë më parë viktima – tani e ndjera në Polici, ku e njëjta kishte shfaqur dyshime se bashkëshorti i saj vuante nga një sëmundje psikike”, ka arsyetuar avokati kërkesën e tij.

Tutje avokati tha se bindja për ekzaminimin psikiatrik të të pandehurit i ishte shtuar edhe sot gjatë takimit me të, ku kishte vërejtur se nuk i kujtohej se si kishte ndodhur rasti.

“Gjithashtu edhe gjatë konsultimit që kisha unë sot me të mbrojturin tim nga i njëjti vërejta se nuk qëndronte mirë në aspektin psikik sepse të njëjtit përveç që i kujtohej se kishte nxjerrë armën prej brezit pasi kishte hyrë në shtëpinë e tij dhe më pas e ndjera ishte frikësuar dhe për një moment i ishte vërsulur mbi armë duke konsideruar se mos po ndodhte ndonjë e papritur siç edhe kishte ndodhur me të mbrojturin tim nga ai moment nuk i kujtohet se si kishte rrjedhur ngjarja dhe për një moment deklaron se veç kur e ka parë të ndjerën të shtrirë në tokë me plagët e marra nga arma”, tha avokati Elvir Imeri.

Tutje avokati Imeri tha se të pandehurit nuk i kujtohet se sa plumba i ka shkrepur në të ndjerën dhe se i njëjti është dorëzuar vetë në Polici.

Skënder Qerimaj po dyshohet se është dorasi i vrasjes që ka ndodhur dje në Llaushë të Skenderajt. Viktima – Lirije Qerimaj është qëlluar me armë zjarri dhe ka vdekur nga plagët e marra.

Prokuroria ka kërkuar paraburgim për të dyshuarin.

Ndërsa informacionet zyrtare flasin për një dështim të institucioneve për mbrojtjen e tashmë viktimës, e cila më 1 janar kishte kërkuar mbrojte nga institucionet shtetërore pas ankesës për dhunë të ushtruar nga bashkëshorti i saj.