Shiriti i Policisë, FOTO-Ilustrim

Thellohet skandali i vrasjes në Llaushë, mbrojtësi i viktimave kërkoi pas vrasjes masën mbrojtëse

Detaje të reja rreth incidentit tragjik në Llaushë të Skenderajt, ku dje një grua u vra me armë zjarri, e thellojnë skandalin që ka përcjellë këtë rast.

Viktima e këtij rasti, Lirije Qerimaj, më 1 janar kishte kërkuar mbrojtje nga shteti pas dhunës nga burri i saj, ndërsa kërkesa për mbrojtje ishte dorëzuar në ditën kur ajo u vra, dje, më 5 janar. Dorasi dyshohet të jetë bashkëshorti i viktimës.

Kështu ka deklaruar Hatixhe Latifi nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë – Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në Mitrovicë.

Latifi ka deklaruar se më 1 janar e kishin ftuar në stacionin policor pasi ankuesja Lirije Qerimaj kishte raportuar për dhunë në familje.

“Unë kam qenë kujdestare më 1 janar. Policia e dhunës në familje në Skenderaj më kanë kontaktuar, edhe viktima është ankuar për dhunë psikike. Mandej është kthy në shpi ajo me pajtimin e familjarëve. Djali ka garantu që nana ka me u kthy në shpi se nuk janë ato fjalë që po i folë baba”, tha Latifi për KALLXO.com.

“Atë ditë ka qenë e shtunë, mandej ka qenë e diel, e hënë, e martë – festë. Të mërkurën jua përcjellim rastin edhe vazhdoni me kërkesë për urdhër mbrojtje. Unë thashë OK se të mërkurën fillon punën gjykata edha na”, vazhdoi Hatixhe Latifi.

“Por çështje sigurie  të rekomandoj të flasësh me koordinatoren regjionale për dhunë në familje që është Mukadeze Gogoli Maloku, ia lëshoni masën për urdhër mbrojtje të përkohshme emergjente për çështje sigurie deri sa të fillon punën gjykata. Ajo policja tha: OK, nëse ka diçka foli unë vet me avokaten, edhe kaq”, shtoi ajo.

E pyetur nga KALLXO.com se në rastet të tilla kur është fundjavë ose festë zyrtare a duhet t’i lëshojë këto masa Policia, Latifi tha: Po de, Policia, ajo është koordinatorja regjionale e dhunës në familje, ajo menjëherë e  lëshon kërkesën për urdhër mbrojtje të përkohshme emergjente deri sa të fillon punën gjykata.

E pyetur nëse e kishte proceduar kërkesën e tillë në stacionin policor në Skenderaj, Latifi tha se ajo e ka sugjeruar policen. “Ata e kanë punën e vet, po u kam thënë që për çështje sigurie koordinatorja regjionale e dhunës në familje t’i lëshojë këto masa. Ajo më tha: OK nëse ka diçka foli unë me ata”, theksoi ajo.

“Të mërkurën, dje na ka ardhë rasti, e kemi përpilu kërkesën, e këna dorëzu në gjykatë. Në mbrëmje përmes mediave e kemi kuptu për rastin”, shtoi Hatixhe Latifi.

Sipas Latifit,  Policia është dashur ta kontaktojë koordinatoren për t’ia dorëzuar rastin. “Koordinatorja e kish lëshu masën emergjente edhe ish kry deri sa të fillon punën gjykata”, tha ajo.

E pyetur se nëse do të ishte lëshuar masa për urdhër mbrojtje a do të ishte sot viktima gjallë, Latifi tha: Nuk muj me thanë se ka pasur edhe me urdhër mbrojtje edhe janë vra mirëpo problemi që ka qenë ditë feste. Sa i përket punës time m’ka njoftuar Policia por ka qenë festë, përndryshe kur s’punon gjykata na nuk lëshojmë vendim”.

Hatixhe Latifi tha se është punë e Policisë për të vazhduar tutje.  “Unë ju thash që ka qenë mirë pasi është vikend, por drejt me t’ thanë se në shikim të parë s’ju ka dok rast shumë i randë, se veç dhunë psikike, as s’ka pas lëndime, as s’ka kërku trajtim mjekësor. U kthy në shpi, se kaniher i kena do raste shumë të rënda”, theksoi ajo.

KALLXO.com kontaktoi edhe koordinatoren regjionale për dhunë në familje Mukadeze Gogoli, e cila deklaroi se nuk mund të japë përgjigje pasi që nuk është kompetente.