Foto: Kallxo.com

Konflikti për një karrige: 1 vit dhe 3 muaj burg për të akuzuarin

Gjykata Themelore e Mitrovicës ka shpallur aktgjykim ndaj Miftar Mehmetit, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të lëndimit të rëndë trupor.

Mehmeti, nga prokuroria e Mitrovicës akuzohej se në tetor të vitit të kaluar në oborrin e kopshtit të fëmijëve “Nina” i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor të dëmtuarit Isa Sadriu.

Ata fillimisht kishin pasur një fjalosje rreth një karrige dhe më pas ishin kacafytur fizikisht mes vete, ndërsa i pandehuri kishte qenë i pajisur me thikë me të cilën e kishte goditur të dëmtuarin katër herë duke i shkaktuar plagë shqyese.

Me këtë Mehmeti akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim i rendë trupor”.

Ndërsa sot trupi gjykues i përbërë nga Avni Mehmeti, kryetar, dhe Rrahman Beqiri e Izet Gerguri, anëtarë, kanë marrë vendim me anë të së cilit Miftar Mehmetin e kanë dënuar me  1 vit e 3 muaj burgim efektiv.

Paraprakisht në gjykatën e Mitrovicës u mbajt seanca e shqyrtimit gjyqësor, ku i tashmë i dënuari ka pranuar fajësinë për veprën e cila i vihet në barrë nga ana e prokurorisë.

Pranimin e fajësisë nga i pandehuri e ka mbështetur edhe mbrojtësi i tij avokati Elvir Imeri, e po ashtu edhe prokurori Ismet Ujkani.

Mehmeti gjithashtu ka shprehur keqardhjen e tij për këtë vepër, ndërsa nga gjykata kishte kërkuar që t’i shqiptohet dënim sa më i butë.

Në këtë dënim atij do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej afërsisht katër muaj.