Ish-Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq përballet me deklaratën e dëshmitarit

 

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur gjykimi kundër ish-kryetarit të Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq dhe 14 personave  të tjerë të cilët po i akuzon për krim të organizuar.

Në këtë seancë është dëgjuar dëshmia e dëshmitarit Mita Staletoviq, i cili punon si zyrtar administrativ në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

Dëshmitari deklaroi se ai si zyrtar në këtë ministri ka marrë pjesë në përcjelljen e punëve të projekteve që kanë ardhur si rezultat nga memorandumi në mes Ministrisë për Komunitete dhe Kthim dhe Komunës së Leposaviqit.

“Në një mënyrë detyra ime ka qenë për mbikëqyrjen e projektit por nuk më kujtohet saktë se cili projekt, por në këtë memorandum ishin disa projekte, detyrat e mia kanë qenë që të jem në kontakt me komunën dhe të mbikëqyr si rrjedhin projektet prej fillimi në fund”- tha dëshmitari Staletoviq.

Ai deklaroi se akoma nuk kishte diplomuar dhe është absolvent në fakultetin për edukatë fizike.

Kjo pati shumë reagime nga palët dhe u pyet nga avokati Arianit Koci se a ishte në gjendje të mbikëqyrte projektet që kryesisht ishin rrugore e sipas tij ishte punë për inxhinier.

“Po ta kishit përcjellë prej fillimi procesin e ndërtimit të rrugës, ju me shkollim për edukatë fizike, a kishit pas mundësi me e dallu a është tu shku procesi sipas projektit, se mua po më duket punë për inxhinier”- tha avokati Arianit Koci.

Pyetje kjo që u konsiderua se është konsumuar më herët nga palët  tjera mirëpo avokati konsideroi se është shumë e rëndësishme përgjigja në këtë pyetje për shkak të përkatësisë politike, pyetje e cila u ndalua nga trupi gjykues.

“Është me rëndësi sepse Ministrinë e ka pas Lista Serbe kurse Komunën e ka pas Lista e Serbëve të Kosovës”- tha avokati Koci.

Për dëshminë e këtij dëshmitari pati ankesa nga ana e avokatëve të të akuzuarve.

“Kam vërejte ne dëshminë e dëshmitarit sepse të gjitha këto që po i thotë ky është në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik dhe nuk ka pasur asnjë të drejtë që të përzihet dhe dëshmia e tij nuk i shërben bash kurrgjë kësaj çështje”- tha avokati Skënder Musa.

Prokuroria Speciale akuzon Dragan Jabllanoviq, Haxhi Bejtën, Aleksander Açkoviqin, Xhemajl Ferizin, Haki Haxhiun, Mehdi Haxhiun, Aleksander Kostiqin, Çedomir Timotijeviqin, Mensur Ramajn, Mirosllav Ivanoviqin, Bojan Banoviqin, Nijazi Musliun, Ivan Kadiqin, Jellica Baraqin dhe Boban Millovanoviqin, se gjatë periudhës kohore 2015-2017 aktivisht kanë marrë pjesë në veprimtari kriminale.

Sipas aktakuzës, Dragan Jabllanoviq akuzohet se ka drejtuar dhe ka organizuar këtë grup kriminal pas emërimit në pozitën e Kryetarit të Komunës së Leposaviqit, i cili duke keqpërdorur detyrën zyrtare ka punësuar 7 prej të akuzuarve në Komunë.

Prokuroria gjithashtu Dragan Jabllanoviqin e akuzon se në mënyrë të kundërligjshme ka emëruar të akuzuarin Haxhi Bejtën si Drejtor i Prokurimit në Komunën e Leposaviqit, kurse të akuzuarve të tjerë i njëjti ju ka caktuar detyra të ndryshme në prokurim për tenderë me vlerë disa milionë euro.