Arkiv - Gjykata Themelore e Pejës

Gjykimi për korrupsion i drejtoreshës së Kadastrës në Klinë, përplasë prokurorinë dhe mbrojtësit e të akuzuarës

Në Gjykatën e Pejës ka vazhduar gjykimi kundër Njomza Grabanicës, drejtoreshë e Drejtorisë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronësi në Klinë.

Grabanica po akuzohet se në cilësinë e drejtoreshës, e ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e saj zyrtar, duke mos përmbushur kështu detyrat e parapara me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe Statutin e Komunës së Klinës në dëm të gjeodetëve të licencuar.

Sot në seancën e dytë të shqyrtimit, janë prezantuar kërkesa e mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës, dhe përgjigjja e prokurorisë ndaj kësaj kërkesë.

Prokurorja e rastit, Valbona Disha – Haxhosaj, tha se qëndron pranë përgjigjes së dorëzuar me shkrim.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarës, Njomza Grabanica, avokati Artan Qerkini tha se në veprimet ose mosveprimet e klientes së tij, nuk ekzistojnë elementet e veprës për të cilën ngarkohet nga Prokuroria.

“I parashtrojmë 2 argumente që janë në favor të mbrojtjes dhe atë qasja në këto të dhëna nuk paraqet vepër penale, dhe e dyta Njomza Grabanica ka bërë kërkesë që A.N të këtë qasje në të dhënat kadastrale në kohën kur ai ka pas kontratë në Komunën e Klinës”, tha avokati duke u përgjigjur në pretendimet e Prokurorisë.

Sipas tij Prokuroria nuk ka arritur të rrëzojë pretendimet e mbrojtjes se e akuzuara ka pas përgjegjësi zyrtare në mënyrën e punësimit të A.N. dhe se ka përgjegjësi për veprimet e tij pas orarit të punës.

Seanca është shtyre në kohë të pacaktuar.

Sipas dosjes së Prokurorisë, e akuzuara Grabanica, në mënyrë të heshtur e ka mbajtur qytetarin A. N. në zyre, i cili ka punuar në këtë drejtori në cilësinë e gjeodetit pa kontratë punë e pa vendim të Komunës.

Prokuroria thotë që e akuzuara e ka pajisur të lartcekurin me autoritet zyrtar duke kërkuar nga AKK t’i lejojë atij qasje në të dhënat zyrtare të AKK-së, e cila qasje i është lejuar deri më 11 shtator të vitit 2020.

Gjatë kësaj periudhe kohore, sipas Prokurorisë, i lartcekuri në cilësinë e praktikantit me dijeninë e të akuzuarës, jo vetëm që nuk i ka realizuar kërkesat e të dëmtuarve për blerjen e produkteve kadastrale, por i njëjti është ngarkuar edhe me instrumentin matës gjeodezik dhe gjatë periudhës 2019-2020, e ka përdorur këtë instrument pas orarit të punës, gjatë ditëve të fundjavës, në disa raste edhe për punë private në kundërshtim me udhëzimin administrativ të MMPH.

Prokuroria e Pejës i ka propozuar gjykatës edhe shqiptimin e dënimit plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike.