Gjykimi ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Drenas për shpenzimin e mijëra eurove pa tender

Ish-drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Drenasit, Sadik Tahiraj, është ulur në bankën e të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria po akuzon Sadik Tahirajn se në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas, i kishte kaluar kompetencat e tij duke i mundësuar vetës ose organizatave të biznesit “A&I Group” SH.P.K dhe “Al Trade” Sh.P.K.

Dosja e Prokurorisë e ngarkon Tahirajn se pa përfillur procedurat e tenderimit kishte angazhuar kompanitë “A&I Group” SH.P.K dhe “Al Trade” Sh.P.K. për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill të shkollës fillore “Rasim Kiçina” në Drenas dhe rregullimin e kulmit të shkollës fillore “Rilindja” në Dobroshec.

Sipas aktakuzës, pa u përfillur procedura e tenderimit, është lidhur marrëveshja e mirëkuptimit në mes Sadik Tahirajt dhe “Al Trade” për furnizimin me material për ndërtimin e depos për thëngjill në shkollën “Rasim Kiçina” për të cilën është dashur Komuna e Drenasit të paguajë shumën prej 8,543.31 euro.

Ndërsa me “A&I”, Sadik Tahiraj kishte lidhur marrëveshje mirëkuptimi për rregullimin e kulmit të shkollës fillore “Rilindja” pa përfillur procedurat e tenderimit, për të cilën Komuna e Drenasit kishte paguar 17,043.50 euro.

Tahiraj poashtu akuzohet se në cilësinë e drejtorit të Arsimit në Komunën e Drenasit, në mars të vitit 2014 i ka lëshuar kontratë pune për mësimdhënës Mimoza Berishës, si edukatore, në shkollën e mesme të ulët “Ali Gashi” në Drenas. Kjo sipas Prokurorisë ka ndodhur pa konkurs publik dhe pa përgatitje shkollore adekuate, duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit. Kështu, Komunës së Drenasit i ka shkaktuar dëm të buxhetit në vlerë prej 756.18 euro.

Nexhat Demaku rrëfehet në Gjykatë për punësimin pa konkurs për të cilin akuzohet

Në gjykatë lidhur me këto dy pika të akuzës ka dhënë rrëfimin e tij dëshmitari Tafil Halilaj, ish-drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Drenas. Dëshmitari i propozuar nga mbrojtja Tafil Halilaj deklaroi se me tani të akuzuarin Sadik Tahiraj njihet pasi janë bashkëvendas, kishin punuar si mësimdhënës në shkollën “Shote Galica”.

“Me Sadikun jam vendas, kemi punuar në shkollën Shote Galica, kur kam qenë drejtor i shkollës ky ishte drejtor i Arsimit”, tha dëshmitari Halilaj.

Ai u pyet për kohën që ishte drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Drenas nëse kishte gjetur kontratë për rregullimin e kulmit të shkollës fillore “Rilindja” në mes DKA-së dhe “A&I” dëshmitari Halilaj u përgjigj se “Jo nuk kam gjetur asnjë kontratë”.

Poashtu ai u pyet nga avokati Blerim Qela, mbrojtës i të akuzuarit Sadik Tahiraj, se a kishte pranuar faturën për rregullimin e kulmit të shkollës “Rilinjda”.

“Unë kam kërkuar ligjshmërinë e asaj fature sepse nuk kishte asnjë procedurë të tenderimit, as komision dhe për këtë s`kam mundur ta bëj pagesën”, tha Halilaj.

Poashtu dëshmitari deklaroi se “Punët janë kry, shkollat është mbulu, por procedura nuk ka qenë në rregull sepse nuk janë respektuar procedura e tenderimit, pranimi i kulmit, formimi i komisionit, dhe për këtë s`kam pasur mundësi të bëj pagesën”, vazhdoi dëshmitari Tafil Halilaj

Për punimet e kryera kompania “A&I” kishte inkasuar të hollat përmes përmbaruesit privat.

E kur u pyet nga avokati Blerim Qelaj (mbrojtës i të akuzuarit Sadik Tahiraj), se a keni parashtruar prapësimin ndaj urdhërit të përmbaruesit privat për pagimin e mjeteve për rregullimin e kulmit dëshmitari Halilaj deklaroi se “Nuk e di ne e kemi kundërshtuar dhe përmbaruesi i ka tërhequr mjetet”.

I pyetur nga gjykatësja Nushe Kukaj, se a ka marrë gjykata vendim për procedurën përmbarimore, dëshmitari Halilaj u përgjigj se nuk e di se si ka shkuar procedura.

Gjithashtu dëshmitari Tafil Halilaj, u pyet nga gjykata se në raste emergjente si ishte puna e rregullimit të kulmit të shkollës “Rilinjda”, a “A parashihet se në raste emergjente se duhet të intervenohet pa procedurë të tenderimit”.

Dëshmitari  Halilaj, deklaroi se “Edhe te këto raste duhet të pritet një procedurë e tenderimit për mos me ardhë në gjykatë”.

I pyetur nga i akuzuari Sadik Tahiraj se “Në rastet emergjente cila drejtori menaxhon me Komunë”, dëshmitari Halilaj, u përgjigj “Drejtoria emergjente në kuadër të Komunës”.

Ndërsa në fund të dëshmisë së tij Halilaj tha se nuk kishte asnjë vërejtje për punën e Sadik Tahirajt sa ishte drejtor i Drejtorisë së Arsimit.

Seanca e radhës u caktua me datën 5 shkurt 2020, në të cilën do të dëgjohen dëshmitarët Shefqet Bytyqi, Flora Krasniqi dhe Avni Hoti.