Gjykimi i zyrtarit të komunës së Skenderajt për nderrimin e vendbanimit të qytetarit pa dijen e tij
Në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar gjykimi i Kujtim Bekajt, i cili akuzohet se si zyrtar i gjendjes civile në Skenderaj i kishte ndërruar vendbanimin të dëmtuarit Jetmir Suka pa dijeninë e tij.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Mitrovicës, Bekaj në cilësinë e nëpunësit civil në Komunën e Skenderajt, duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare ka tejkaluar kompetencat me qëllim që të përfitojë dobi për personin tjetër dhe atë F.S., nënshtetase e Gjermanisë dhe t’i shkaktojë dëm të dëmtuarit Jetmir Suka.
Gjatë seancës se sotme janë administruar provat dhe është marr në pyetje i pandehuri Bekaj.
Bekaj ka deklaruar edhe një herë se nuk e ndien vetën fajtor për veprën me të cilën akuzohet nga prokuroria e Mitrovicës.
Duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokatit Sylejman Klinaku, i pandehuri Bekaj ka thënë se ai ka qenë zyrtari më i ngarkuar i gjendjes civile në Skenderaj, sepse pas avancimit të programit të gjendjes civile shumica e qytetarëve kishin shkuar për të kryer shërbime në qendrën në Skenderaj.
Lidhur me rastin e të dëmtuarit Jetmir Sukës i pandehuri Bekaj ka thënë se për ofrimin e shërbimeve për qytetarët e moshës mbi 18 vjet duhet të jenë vetë prezent sipas udhëzimeve administrative, por se kjo nuk zbatohet askund në Kosovë, për arsye se kërkesat janë të mëdha nga qytetarët që jetojnë jashtë vendit dhe ata nuk mund të vijnë që të jenë prezent.
Kjo sipas të pandehurit lidhej me rastin e Jetmir Sukës dhe F.S., sepse siç ka deklaruar, kur personi që me vonë tha se kishte qenë Flamur Gashi dhe F.S., kishin shkuar për ndërrimin e vendbanimit e kishte parë se ata janë bashkëshort por se nuk kishte qenë në dijeni për problemet e tyre.
Sipas të pandehurit ai kishte lexuar në tërësi dhe me vëmendje kontratën për vendbanimin ku kishte vërejtur se vula e avokatit Shefqet Ibrahimi i cili ka qenë dëshmitarë në këtë rast) ishte në kontratë dhe që pasi në Skenderaj nuk kanë e noterët e komunave tjera nuk i vërtetojnë saktësinë e dokumenteve të komunës se Skenderajt, i pandehuri Bekaj kishte kryer shërbim sipas asaj kontrate. Por Bekaj po ashtu ka shtuar se kur kishte hyre për të ndërruar vendbanimin e F.S., kishte parë që ka shtetësi gjermane dhe nuk ka pasur qasje ne ndryshimin e vendbanimit.
I pandehuri ka thënë se i kujtohej se për të ndërruar vendbanimin kishte qenë një mashkull që sipas të pandehurit ishte Flamur Gashi dhe një femër F.S., ndërsa kishte vërejtur se në deklarate thuhej se “do të vendosem të bashkëshorti im” i pandehuri kishte bërë lajmërimin e vendbanimit të tani të dëmtuarit Jetmir Suka, pasi që të F.S., nuk kishte pasur mundësi për shkak të shtetësisë gjermane.
“Sikur të dija destinacionin e dokumenteve ku do te shkojnë me pas dhe konfliktin e bashkëshortëve që e kanë mes vete, unë në asnjë mënyrë nuk do te kisha kryer atë shërbim sepse jam i vetëdijshëm që do të kisha pasoj“, ka thënë para gjykatës Bekaj.
Kurse prokurori Ismet Ujkani ka pyetur të pandehurin se a e kishte lëshuar certifikatën për ndërrimin e vendbanimit për Jetmir Sukën, i pandehuri ka deklaruar se po e kishte lëshuar në bazë të kërkesës.
“Po e kam lëshuar, certifikata e vendbanimit lëshohet në tërë territorin e Republikës së Kosovës ku parashtrohet kërkesa, në rastin konkret e kam lëshuar në bazë të kërkesës që do të jetoj me bashkëshortin”, tha i pandehuri.
I akuzuari Bekaj ka thënë gjithashtu para gjykatës se certifikatën e vendbanimit për Jetmir Sukën ia kishte lëshuar Flamur Gashit dhe një gruaje që ishte me të.
Ndërsa ka sqaruar se me vonë ishte takuar edhe me Jetmir Sukën.
“Po jam takuar ka ardhur në komunë për të kërkuar sqarime lidhur me rastin, së bashku me të unë kam shkuar edhe tek avokati dhe në gjykatë se si ka rrjedhur kjo procedurë, dhe më ka thënë që nuk do të më padisë dhe me ka falënderuar për korrektësinë që kam pasur me të, mirëpo kush e ka nxitur që të parashtroj kallëzim penal nuk e di, sepse jam aq i logjikshëm që nuk do të kisha përkrahë për një qëllim të tillë”, tha i pandehuri Bekaj.
Pyetje për të pandehurin ka pasur edhe anëtari i turpit gjykues, gjyqtari Agron Maxhuni.
Maxhuni ka qenë i interesuar të dijë nga Bekaj, se a ka të drejtë një person me shtetësi të huaj të parashtroj kërkesë për ndërrimin e vendbanimit për një person tjetër?
Derisa i pandehuri ka thënë se ne rastin konkret këta perona që kanë bërë kërkesë për ndërrimin e vendbanimit kanë qenë bashkëshortë dhe se shërbimin e kishte kryer për qëllim të ndihmës së palëve dhe se nuk kishte pasur qëllim të dëmtimit.
Pas marrjes në pyetje të të pandehurit, me kërkesën e avokatit Sylejman Klinkau seancë është ndërprere në mënyre që ky i fundit të përgatisë fjalën përfundimtare.
Trupi gjykues ka caktuar seancën e radhës në këtë rast për datën pesë shkurt.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë në Mitrovicë, Bekaj në cilësinë e nëpunësit civil në Komunën e Skenderajt, duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që të përfitojë dobi për personin tjetër dhe atë F.S., nënshtetase e Gjermanisë, dhe t’i shkaktojë dëm të dëmtuarit, Jetmir Suka.
I pandehuri Bekaj ka bërë ndërrimin e vendbanimit të të dëmtuarit Jetmir Suka, nga fshati Bllacë i komunës së Suharekës pa kërkesën dhe dijeninë e tij dhe në kundërshtim me Ligjin për vendbanimin dhe vendqëndrimin, thuhet në akuzën e Prokurorisë.
I dëmtuari ishte regjistruar me adresën e vendbanimit në Skenderaj, me ç’rast thuhet se ka lëshuar certifikatën e vendbanimit më 19 janar 2017, ndërsa nga ky veprim ka rezultuar me zgjidhje të martesës në mes të të dëmtuarit dhe bashkëshortes së tij F.S.
Pas kësaj sipas akuzës F.S pranë Gjykatës në Mitrovicë, dega në Skenderaj, ka pranuar aktgjykimin për zgjidhje të martesës dhe e ka dorëzuar në organin kompetent në Gjermani duke bërë që të dëmtuarit Jetmir Suka t’i prishet leja e qëndrimit në Gjermani ku më pas ai sipas aktakuzës është kthyer në Kosovë.
Me këtë Kujtim Bekaj, nga Prokuroria po akuzohet për kryerjen e veprës penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.