Gjykata në Mitrovicë të Veriut. Foto: Kallxo.com

Gjykimi i ofiqarit të Skenderajt, i akuzuar se ia ndërroi qytetarit vendbanimin pa dijeninë e tij

Në Gjykatën e Mitrovicës ka vazhduar gjykimi i Kujtim Bekajt, i cili akuzohet se si zyrtar i gjendjes civile në Skenderaj i kishte ndërruar vendbanimin të dëmtuarit Jetmir Suka pa dijeninë e tij.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Mitrovicës, Bekaj në cilësinë e nëpunësit civil në Komunën e Skenderajt, duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitojë dobi për personin tjetër dhe atë F.S., nënshtetase e Gjermanisë dhe t’i shkaktojë dëm të dëmtuarit Jetmir Suka.

Prokuroria pretendon se për shkak të veprimeve të të pandehurit ishte mundësuar zgjidhja e martesës e të dëmtuarit Jetmir Suka, me nënshtetasen gjermane, ku më pas të dëmtuarit i prishet leja e qëndrimit në Gjermani e me pas është kthyer në Kosovë.

Në seancën e sotme i ftuar për të dëshmuar ka qenë avokati Shefqet Ibrahimi, i propozuar nga ana e Prokurorisë.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Ismet Ujkani lidhur me rastin ku i pandehuri Kujtim Bekaj pa dijeninë e personit ka lëshuar certifikatën për të dëmtuarin Jetmir Suka, dëshmitari Ibrahimi ka thënë se martesa ishte zgjidhur sipas padisë së gjykatës, ndërsa aktgjykimi ishte bërë i plotfuqishëm kurse në këtë rast i padituri sipas tij nuk ka bërë kërkesë për anulimin e këtij aktgjykimi.

Kurse lidhur me lidhjen e kontratës mbi dhënien e banesës me qira me palët Flamur Gashi dhe F.S., me mbiemrin e vajzërisë Syla, dëshmitari ka thënë se këtë kontratë ka mundur të bëjë vetëm njëra palë, qoftë qiramarrësi apo qiradhënësi, ndërsa për të nuk ishte e rëndësishme nëse e merrni për ta legalizuar apo mbajtur kontratën.

“Unë nuk jam në gjendje të di se cila prej palëve ka qenë në zyrën time por konsideroj se në zyrën time ka qenë ajo palë që ka qenë e interesuar që të japë ose marrë me qira banesë, ndërsa rrjedha tjetër pas saj nuk është çështje që i takon avokatit”, tha dëshmitari.

Gjithashtu, avokati Ibrahimi i dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit ka thënë se e njeh Flamur Gashin mirëpo nuk e dinte se kush e ka nënshkruar kontratën.

Lidhur me rastin për të cilin akuzohet Kujtim Bekaj, dëshmitari ka thënë se kishte pasur vetëm certifikatën e kurorëzimit dhe autorizimin e dhënë nga F.S., ndërsa nuk ishte në dijeni nëse me certifikatën e kurorëzimit a ka qenë edhe certifikata e vendbanimit apo jo.

Ndërsa kryetari i trupit gjykues Bekim Veliqi ka pyetur dëshmitarin lidhur me atë nëse ai e kishte bërë kërkesën për ndryshimin vendbanimit.

“Jo nuk e kam plotësuar unë, po kontrata është përpiluar nga ana ime“, tha dëshmitari.

I propozuar për t’u dëgjuar në cilësinë e dëshmitari nga Prokuroria është edhe i demtuari Jetmir Suka, por meqenëse i njëjti nuk ishte prezent në seancë, seanca e sotme është shtyrë për një datë tjetër.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë në Mitrovicë, Bekaj në cilësinë e nëpunësit civil në Komunën e Skenderajt, duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që të përfitojë dobi për personin tjetër dhe atë F.S., nënshtetase e Gjermanisë, dhe t’i shkaktojë dëm të dëmtuarit, Jetmir Suka.

I pandehuri Bekaj ka bërë ndërrimin e vendbanimit të të dëmtuarit Jetmir Suka, nga fshati Bllacë i komunës së Suharekës pa kërkesën dhe dijeninë e tij dhe në kundërshtim me Ligjin për vendbanimin dhe vendqëndrimin, thuhet në akuzën e Prokurorisë.

I dëmtuari ishte regjistruar me adresën e vendbanimit në Skenderaj, me ç’rast thuhet se ka lëshuar certifikatën e vendbanimit më 19 janar 2017, ndërsa nga ky veprim ka rezultuar me zgjidhje të martesës në mes të të dëmtuarit dhe bashkëshortes së tij F.S.

Pas kësaj sipas akuzës F.S pranë Gjykatës në Mitrovicë, dega në Skenderaj, ka pranuar aktgjykimin për zgjidhje të martesës dhe e ka dorëzuar në organin kompetent në Gjermani duke bërë që të dëmtuarit Jetmir Suka t’i prishet leja e qëndrimit në Gjermani ku më pas ai sipas aktakuzës është kthyer në Kosovë.

Me këtë Kujtim Bekaj, nga Prokuroria po akuzohet për kryerjen e veprës penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.