I akuzuari Granit Elshani sot në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

Ballafaqohen dëshmitë për konfliktin në mes Elshanëve dhe Kelmendëve

Dëshmitari prezent në diskotekën “City Club” nuk ka arritur ta identifikojë Granit Elshanin si personin që qëlloi në incidentin ku u vra një person e tre të tjerë u plagosën.

Prokuroria pretendon se Granit Elshani anëtar i familjes Elshani nga Ozdrimi i Pejës kishte tentuar të hakmerrej ndaj familjes Kelmendi nga Peja duke qëlluar në drejtim të Valdet Kelmendit dhe Besart Shabit. Ky i fundit kishte vdekur nga plagët e marra nga të shtënat e asaj mbrëmje.

Në procesin e sotëm gjyqësorë ka vazhduar trajtimi i provave.  Familjarja e Elshanit dëshmitarja a Rukmone Hyseni ka ngritur para gjykatës tezën se mbrëmjen kur ka ndodhur incidenti Elshani kishte qenë në shtëpinë e tyre ku kishte fjetur tërë natën.

“Në mbrëmje  ka ardhë Graniti dhe ka flejt më shtëpinë tonë deri mëngjesin e ditës se ardhshme” ka thënë Hyseni.

Elshani ishte arrestuar në shtëpinë e familjarëve të tij ndërsa në shtëpi ishte gjetur edhe një armë.

Dëshmitarja Hyseni është pyetur për armën që është gjetur në shtëpinë e saj ku kishte qëndruar Graniti por në gjykatë dëshmitarja tha se nuk kishte parë asgjë.

Sqarimi i tregimit për armën është bërë me pyetjet e prokurorit special Afrim Shefkiu. Ai i lexoj dëshmitares deklaratën e dhënë në polici ku e njëjta kishte pohuar faktin se policia ka gjetur një revole në dhomën ku ka qëndruar Graniti dhe se ë njëjta ka dyshuar se revolja është e Granitit meqenëse atë revole nuk e kishte parë me herët.

“Nuk di a kam thënë kështu, kam harruar ose edhe kam qenë ë hutuar në polici”, u kundërpërgjigj Hyseni.

Dëshmitarja tha para trupit gjykues se asnjëherë se kishte parë armën për të cilën flitet.

Dëshmi tjetër ka dhënë edhe Artan Bibaj bashkëpronari i klubit ku ndodhi vrasja.

Bibaj i cili ishte bashkëpronarë me të vrarin Besar Shabi rrëfeu se kishte parë ngjarjen por nuk arriti të identifikoj nëse personi që kishte shtënë me armë ishte i akuzuari Granit Elshani.

“E pash një person duke dalë nga hyrja vazhdova pas tij, aty afër është një park aty ka shtënë dy herë ka vazhduar në drejtim të bankës Raiffasen dhe aty kanë qenë edhe disa përsona tjerë duke e ndjekur atë person, pastaj dëgjova përseri të shtëna, Xhevdet Kelmendi ka qenë para meje duke e ndjekur personin në fjalë, aty të rruga “Ramiz Sadiku” ka shtënë me armë dhe aty ishte duke e pritur një makine, në ato momente dëgjova që është plagosur Kaqa-Besarti dhe u ktheva”, tha Bibaj.

I pyetur nga prokurori Shefkiu, se si dukej personi qe ka shtëne me arme, Bibaj tha se ishte një person jo shumë i gjatë me një peshë mesatare dhe ka pas një kapele të kapur për jakne me ngjyrë të mbyllur.

Prokurori pyeti Bibaj se a është personi i dyshuar diku këtu në salle, dëshmitari u përgjigj se “unë se kam parë në fytyrë nuk mund ta identifikoj”.

Mbrojtja e të akuzuarit, e ballafaqoj Bibaj me deklaratën e tij të dhënë në polici ku dëshmitari kishte pretenduar se sulmi natën kritike kishte qenë i përgatitur dhe në cak ka qenë dikush nga Kelmendt

Bibaj u përgjigj se te ky konkludim ka ardhur pasi qe ai dhe Besarti nuk kishin pasur asnjë konflikt të vetëm me dikë, e meqenëse afër Besartit ka qenë Valdet Kelmendi, atëherë beson qe sulmi ka qenë në drejtim të tij.

Në cilësinë e dëshmitarit sot është dëgjuar Mentor Mala i cili ditën e nesërmen si polic i krim-teknikës ka përpiluar raport nga vendi i ngjarjes.

Mala rrëfeu para trupit gjykues se të gjitha provat nga vendi i ngjarjes janë proceduar përmes fotografimit, incizimit dhe matjeve.

I pyetur nga mbrojtja e të akuzuarit se ” a keni pasur ftesë prej zyrtarëve policor qe të dilni në vend-ngjarje”, Mala u përgjigj se ” nuk me kujtohet kane kaluar me shumë se 10 vite”.

” Nëse keni pas thirrje, a është dashur të konstatohet në raport”, vazhdoj avokatja Kelmendi në drejtim të dëshmitarit Mala.

” Po e vërtet” tha Mala.

Gjersa dëshmitari, polici Agron Berisha, i cili kashte dalë ne vend-ngjarje, deklaroj se lidhur me rastin ka përpiluar 3 skica qe përfshijnë edhe hapësirën e jashtme të vendit ku ka ndodhur incidenti.

Mbrojta e të akuzuarit, e ballafaqoj me disa raporte dëshmitarin, por qe ky i fundit tha se nuk mund të japë përgjigje në raporte qe nuk janë përpiluar nga ai.

Sipas aktakuzës të ngritur ndaj Granit Elshanit për rastin e ndodhur natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club”, pretendohet se i akuzuari Granit Elshani kishte hyrë në këtë diskotekë dhe me dy revole të tipit “TT” kishte filluar të shtinte në drejtim të tani të ndjerit Besart Shabi dhe Valdet Kelmendi.

Siç përshkruhet në aktakuzë, natën kritike Granit Elshani shënjestër të vrasjes kishte anëtarin familjes Kelmendi, Valdetin, por fat të keq kishte qenë Besart Shabi, i cili kishte qëlluar afër tij.

Prokuroria Speciale pretendon se në konfliktin në mes dy familjeve janë kryer 29 sulme të cilat kanë rezultuar me 23 të vrarë – 10 pjesëtarë të familjes Kelmendi, tre të familjes Elshani dhe dhjetë viktima të rastit. Në mesin e të vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Seancat e radhës mbahen me dt.31 tetor dhe 1 nëntor.