Prapa grilave - Ilustrim

Gjykata vendos për dy shtetasit nga Maroku, të dyshuar për thyerjen e veturave

 

Gjykata e Prishtinës, ka njoftuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve, shtetas marokenë për veprën penale vjedhje e rëndë.

Sipas prokurorisë të pandehurit S. K. dhe M. G. dyshohen se me datë 17.05.2020, rreth orës 09:00, me qëllim të përfitimit të tyre, në mënyrë të kundërligjshme kishin shkuar mbrapa Interex-it në Prishtinë në afërsi të QKUK-së, dhe duke vërejtur veturat e parkuara të njëjtit në bashkëpunim edhe me dy persona të pa njohur deri me tani, kishin filluar që me mjete të forta fillimisht t`i thyejnë  xhamat e veturave që kanë qenë të parkuara në parking ku kishin marr parfume, telefona dhe syze  dhe në tentim për të ikur të njëjtit janë arrestuar nga policia në oborrin e QKUK-ës.

Gjykata ka aprovuar kërkesën e prokurorisë dhe të pandehurve të lartcekur u ka caktuar paraburgimin në kohëzgjatje prej 1 muaji.

Sipas gjykatës paraburgimi është masë adekuate për zhvillimin e papengueshëm të procedurës në këtë çështje penale.

Po ashtu gjykata ka gjetur se nëse të pandehurit gjenden në liri ekziston rreziku i ikjes me qëllim të shmangies së përgjegjësisë penale për shkak se dy të pandehurit janë shtetas të Marokut.

Si dhe nëse të njëjtit do të gjendeshin në liri, ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale dhe kryerjes së veprave të tjera.

Sipas njoftimit, rezulton se dy të pandehurit janë udhëzuar në të drejtën e tyre që ndaj vendimit mbi paraburgimin të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit.