Gjykata vendos ndaj ish-drejtorit të akuzuar të NLB

Ismajl Rudari, i cili akuzohej nga Prokuroria se me veprimet e tij i kishte shkaktuar dëme dëmtuarës NLB Bank Sh.A. – Prishtinë, në vlerë të përgjithshme prej 305,420.71 euro, është liruar nga Gjykata.

Gjykata e Prishtinës e ka refuzuar aktakuzën e Prokurorisë që rëndonte Ismajl Rudarin për veprën e rikualifikuar nga keqpërdorimi i pozitës, apo autoritetit zyrtar në veprën penale të lidhjes së kontratës së dëmshme, nga prokurori i shtetit Arian Gashi.

Kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kukaj Mekaj, lidhur me refuzimin e aktakuzës tha se ka arritur parashkrim relativ për veprën penale të lidhjes së kontratës së dëmshme.

Prokurori i shtetit, Arian Gashi në fjalën e tij përfundimtare në seancën e kaluar deklaroi se nga administrimi i provave në këtë çështje juridiko-penale, u vërtetua fakti se i pandehuri Ismajl Rudari në cilësi të personit përgjegjës të dëmtuarës ish-Kasa Bankës- Dega në Lipjan, tani të dëmtuarës NLB me seli në Prishtinë në periudhën kohore sikur është cituar në dispozitivin e aktakuzës në fjalë, i njëjti ka lidhur kontrata me dashje për të cilat  e ka ditur se kanë qenë të dëmshme për organizatën ku i njëjti qenë i punësuar dhe ka lidhur kontrata të dëmshme për huadhënie të kredive me kompanitë private.

Si rezultat i të cekurave më lartë, prokurori i shtetit Arian Gashi bëri rikualifikimin e veprës penale nga përvetësimi në detyrë në veprën penale të lidhjes se kontratës së dëmshme, me arsyetimin se në rastin konkret në veprimet e të pandehurit Ismajl Rudari, formohen të gjitha elementet e veprës penale të penale së kësaj vepre të  rikualifikuar.

Sipas aktakuzës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër në periudhën kohore prej 01.02.2003 në vazhdimësi deri me datën 21.11.2005, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, drejtor i ekspoziturës së bankës NLB Sh.a. – Prishtinë, (ish Kasabanka KSB) Dega në Lipjan, Ismajl Rudari ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar.

Sipas dosjes së Prokurorisë Rudari ka lidhur kontrata fiktive për huadhënie të kredive me kompanitë private NTPSHP “Beargo” me seli në Pejë, në vlerë prej 159,193,83 euro, NTP “Irsija-Cos”, me seli në Lipjan, në vlerë prej 8,169.04 euro, NB ”Limani” me seli në Prishtinë, në vlerë prej 15,692.85 euro, NT “Xheneti”, me seli në fshatin Sllatinë e madhe-K Fushë Kosovë, në vlerë prej 91,013.69 euro, NTP “Altini Comerc” me seli në Lipjan, në shumë prej 30,747.15 euro dhe NTP “Elektro Vali” me seli në Lipjan, në vlerë prej 6,604.16 euro, me ç’rast të dëmtuarës NLB Bank Sh.a. – Prishtinë, i ka shkaktuar dëme në vlerë të përgjithshme prej 305,420.71 euro.

Përfundon procesi gjyqësor ndaj ish-drejtorit të NLB

.