Përfundon procesi gjyqësor ndaj ish-drejtorit të NLB

Procesi gjyqësor ndaj ish-drejtorit të NLB-së, Ismajl Rudari ka përfunduar me dhënien e fjalës përfundimtare nga avokati i tij Naser Sopjani.

Rudari akuzohet nga Prokuroria se ka keqpërdorur detyrën e tij duke lidhur kontrata fiktive në dëm të bankës NLB, ku ishte i punësuar në cilësinë e drejtorit në Degën e Lipjanit. Shuma për të cilën akuzohet se i ka shkaktuar dëme bankës arrin vlerën e 305,420.71 euro.

Sipas aktakuzës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër në periudhën kohore prej 01.02.2003 në vazhdimësi deri me datën 21.11.2005, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, drejtor i ekspoziturës së bankës NLB Sh.a. – Prishtinë, (ish Kasabanka KSB) Dega në Lipjan, Ismajl Rudari ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar.

Sipas dosjes së Prokurorisë Rudari ka lidhur kontrata fiktive për huadhënie të kredive me kompanitë private NTPSHP “Beargo” me seli në Pejë, në vlerë prej 159,193,83 euro, NTP “Irsija-Cos”, me seli në Lipjan, në vlerë prej 8,169.04 euro, NB ”Limani” me seli në Prishtinë, në vlerë prej 15,692.85 euro, NT “Xheneti”, me seli në fshatin Sllatinë e madhe-K Fushë Kosovë, në vlerë prej 91,013.69 euro, NTP “Altini Comerc” me seli në Lipjan, në shumë prej 30,747.15 euro dhe NTP “Elektro Vali” me seli në Lipjan, në vlerë prej 6,604.16 euro, me ç’rast të dëmtuarës NLB Bank Sh.a. – Prishtinë, i ka shkaktuar dëme në vlerë të përgjithshme prej 305,420.71 euro

Avokati Sopjani në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se nga provat e administruara në këtë proces, si provat veç e veç, ashtu edhe të ndërlidhura me njëra tjetrën, është parë se aktakuza  nuk është bazuar në prova materiale. Po ashtu edhe pretendimet e të dëmtuarit të supozuar NLB, që kinse pretendon se është dëmtuar me shumat materiale të caktuara, ato nuk qëndrojnë, sepse nuk përkojnë me të dhënët e siguruara nga dëshmitë materiale në lëndë dhe me deklarimet e dëshmitarëve të  dëgjuar.

Avokati, Sopjani i ka propozuar gjykatës që të shpallë aktgjykim refuzues, sepse ekzistojnë rrethana të tjera që përjashtojnë ndjekjen penale, sepse kemi ngritur aktakuzë pas afatit, si dhe nuk janë plotësuar kushtet edhe nga neni 364 par.1.3 i KPPRK-së.

“Besojmë se drejtësia do të vendoset në këtë çështje dhe gjykata do ta lirojë të pafajshëm Ismajl Rudarin”, kishte thënë në fund të fjalës së tij përfundimtare, avokati Naser Sopjani.

Ndonëse nuk kishte diçka tjetër për të shtuar, Ismajl Rudari e mbështeti në tërësi deklarimin e mbrojtësit të tij, avokatit Naser Sopjani.

 

 

 

 

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!