Mbrojtja e 'Komandant Calit' kërkon lirimin nga paraburgimi

Mbrojta e të akuzuarit Sali Mustafa, ka paraqitur Gjykatës Speciale kërkesë për lirim nga paraburgimi të mbrojturit të tyre.

Në kërkesën e dorëzuar gjykatës, mbrojta ka potencuar faktin që paraburgimi në këtë fazë është i panevojshëm dhe i pabazuar.

Sipas aktakuzës së konfirmuar më 12 qershor 2020, Salih Mustafa, Komandant Cali po akuzohet si epror i njësitit BIA, që kishte 500-600 anëtarë, vepronin kryesisht në zona të mëdha urbane si Prishtina dhe Obiliqi dhe përreth këtyre zonave, si dhe në rajonin e Gollakut në të cilin ndodhet fshati Zllash.

Mbrojta ka paraparë që meqenëse është bërë konfirmimi i aktakuzën është e diskutueshme çështja që të mbahet në paraburgimi një i akuzuar që ka qenë në liri për më shumë se 20 vite, pasur parasysh që gjatë kësaj kohë i akuzuari duke jetuar në Kosovë nuk ka qenë kurrë i akuzuar për ndonjë vepër penale dhe rrallë here ka dalë jashtë shtetit.

Pika në bazë të cilës është caktuar paraburgimi, ku theksohet rreziku i ikjes, mbrojtja e ka konsideruar si të pabazuar.

“Gjatë periudhës që ai ka qenë në vendin e tij para se të ishte arrestuar, ai nuk e ka konsideruar të lë shtetin e tij. Akuza që ekziston rreziku që ai të largohet nga shteti i tij është e pabazuar. Ai ka pasur mjaftë mundësi që të largohet nga shteti nëse do frikësohej nga procesi”, thuhet në kërkesë.

Mbrojtja  po ashtu ka potencuar se Mustafa ka shprehur vullnetin se ai mund të qëndroj nën arrest shtëpiak ose ndonjë forme tjetër që e siguron prezencën e tij gjatë procedurës penale, pa u mbajtur në paraburgim në Hagë. Madje sipas mbrojtjes përmes pajisje teknologjike të instaluara në shtëpinë e tij dhe në të mund të sigurohet që ai nuk do të largohet nga Kosova.

Sipas mbrojtjes fakti që i akuzuari qëndron në arrest shtëpiak, nuk shpreh rrezik që ai të ndërhyje në proces gjyqësor ose në dëshmitarë.

“Neni 14 i ligjit parasheh që gjykata mundet të parasheh masat që i parasheh të nevojshme që çdo rrezik i mundshëm të eliminohet dhe që njëkohësisht të sigurojë që i akuzuari nuk do të shmangë seancat e procesit gjyqësor”, vazhdohet tutje në kërkesë.

Gjithnjë sipas mbrojtjes fakti që i akuzuari është qytetar i Kosovës, nuk është pengesë apo rrezik i shmangies nga procesi sepse ai ka bashkëpunuar me organet e Prokurorisë, në kuptimin që ai ka dhënë deklaratë dhe ka ardhur në mënyrë vullnetare që të intervistohet nga ta.

“I akuzuari vullnetarisht do të dorëzojë pasaportën që të sigurojë që nuk do të largohet nga shteti i Kosovës”, thuhet në kërkesë.

Kallxo.com ka raportuar me herët për këtë rast.

Sipas aktakuzës, njësiti BIA vepronte në një kompleks në Zllash që përfshinte një numër ndërtesash e përdorej si vendstrehim të sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje.

Me aktakuzë  Mustafa ngarkohet se mes 1 dhe 19 prillit 1999 së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Sipas aktakuzës, personat e ndaluar u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Aktakuza thotë se i akuzuari Mustafa së bashku me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së, kishin kryer trajtim mizor sepse 6 të ndaluarve nuk u kishin mjaftueshëm ushqim, ujë dhe kushteve higjienike dhe sanitare, fjetje, strehim dhe kujdesit shëndetësor.

Pika e akuzës që ngarkon Mustafën me torturë thotë se i akuzuari Mustafa së bashku me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së ndaj personave të ndaluar u shkaktuan viktimave vuajtje ose dhimbje shumë të rënda me synim marrjen e informatave ose deklaratave pranuese, duke i ndëshkuar, frikësuar ose shtrënguar viktimat ose duke i diskriminuar viktimat, ndër të tjera për arsye politike.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellur personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur dhe shënjestruar më shumë se personat e tjerë.

Sipas aktakuzës, gjatë kohës së ndalimit të personit të vrarë, familjarët e tij vazhdimisht kishin kërkuar informata rreth tij, por nuk i ishin dhënë informata të plota, ose u ishin dhënë informata të rreme.