Gjykata Speciale: Të martën nis gjykimi ndaj Pjetër Shalës

Më 21 shkurt 2023, pritet të nis gjykimi kundër Pjetër Shalës para Dhomave të Specializuara (DHSK).

Të martën, kryegjykatësja do të hapë gjykimin, do të kërkojë leximin e akuzave për të akuzuarin, do ta informojë mbi të drejtat dhe detyrimet dhe do ta pyesë të akuzuarin nëse e ka kuptuar aktakuzën dhe nëse dëshiron të konfirmojë vetëdeklarimin e tij të mëhershëm si i pafajshëm.

Më pas, Prokurori i Specializuar, mbrojtësi i viktimave dhe Mbrojtja do të kenë përkatësisht nga dy orë për të dhënë deklaratat e tyre hyrëse.

Në vendim bëhet e ditur se deklaratat hyrëse janë planifikuar të vijojnë edhe më 22 shkurt.

Ndërkaq, duke marrë parasysh se salla e vetme e gjyqit në dispozicion duhet të ndahet me Panelet e tjera të Dhomave të Specializuara, trupi gjykues ka vendosur që paraqitja e provave të fillojë më 27 mars 2023, në orën 09:30.

Trupi gjykues do të fillojë bllokun e parë të provave deri më 31 mars 2023.

“Blloqet e mëposhtme (deri në pushimin e verës gjyqësore) janë:  E hënë, 1 maj 2023, ora 09:30 deri të premten, 5 maj 2023; E martë, 30 maj 2023, ora 09:30 deri të premten, 9 qershor 2023; dhe  e hënë, 26 qershor 2023, ora 9:30 deri të mërkurën, 28 qershor 2023 dhe e premte, 30 qershor 2023, nga ora 09:30 deri të premten, 7 korrik 2023”- sqarohet në vendim.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021, nga autoritetet belge ku dhe është duke qëndruar në paraburgim.

Pjetër Shala akuzohet për përgjegjësi penale individuale dhe ndaj tij janë ngritur katër akuza për krime lufte si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë, dhe vrasje të paligjshme.

Krimet pretendohen se u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, Shqipëri, që pretendohet se përdorej prej UÇK-së.

Aktakuza e parë kundër Pjetër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe aktakuza e konfirmuar e korrigjuar u dorëzua më 1 nëntor 2021.

Më 19 prill 2021, Shala pati paraqitjen e tij të parë para Gjykatësit të Procedurës Paraprake dhe u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Më 21 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt nga data 18 deri më 20 tetor 2022.

Deri tani, tetë persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në proces. Procesi i parashtrimit të kërkesave për viktimat që dëshirojnë të marrin pjesë në proces mbetet i hapur.

“Personat që mund të provojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të renditur në Aktakuzën e korrigjuar, ende mund të paraqesin kërkesë për pjesëmarrje në proces. Këtu përfshihen persona që kanë pësuar dëm drejtpërdrejtë, si dhe persona që kanë pësuar dëm tërthorazi, për shembull, për shkak se kanë lidhje të ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose  lënduar”.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK