Gjykata Kushtetuese vazhdon pezullimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë

Përmes një komunikate për media Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se është marrë vendim që të vazhdohet pezullimi i Ligjit për zyrtarët publikë.

Në vendimin e kësaj Gjykate thuhet se ky ligj do të vazhdojë të pezullohet deri me datë 30 qershor 2020.

Më 12 shtator ka hyrë në fuqi Ligji për Zyrtarët Publik por me 19 nëntor Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë ligj deri në shkurt të vitit 2020.

Kushtetuesja e kishte miratuar ankesën e Avokatit të Popullit për masë të pezullimit deri në më 28 shkurt 2020 dhe gjithashtu kishte pezulluar zbatimin në tërësi të këtij Ligji.

Ky Ligj i ka paraparë disa risi sa i përket procesit të rekrutimit të zyrtarëve publikë si në aspektin e shpalljes së konkurseve ashtu edhe në aspektin e vlerësimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve. Ky Ligj pritet të zëvendësojë Ligjin për shërbyesit civilë.

Disa prej ndryshimeve kryesore që janë paraparë në këtë Ligj që është pezulluar ka qenë centralizimi i konkurseve për shërbyesit civilë.

Ky Ligj parasheh se pranimi në detyrë i nëpunësve civilë, nëpunësve të shërbimit publik dhe nëpunësit administrativ-teknik dhe mbështetës, bazohet në parimet e mundësive të barabarta, meritës dhe integritetit, mosdiskriminimit dhe përfaqësimit të drejtë dhe proporcional gjinor dhe të komuniteteve.

https://kallxo.com/lajm/gjykata-kushtetuese-pezullon-ligjin-per-zyrtaret-publike/