Foto-ilustrim

Gjykata e Apelit vendosi në rastin e të akuzuarës për terrorizëm

Agnesë Zuzaku, e akuzuar për organizim dhe pjesëmarrje në grupin terrorist, ishte dënuar më 2 vite burgim, dënim me kusht, më 27 dhjetor 2020 nga Gjykata e Prishtinës.

Ndaj këtij vendimi të Gjykatës themelore ankesë kishte paraqitur mbrojtësja e të akuzuarës Agnesë Zuzaku, avokatja Ledita Keqekolla Gashi, për shkak të  kohëzgjatjes së dënimit si dhe detyrimit për vizitë te psikologu për një kohë më të shkurtër.

E për dallim nga avokatja Keqekolla-Gashi, Prokuroria i kishte propozuar Gjykatës së Apelit refuzimin e ankesës së mbrojtjes të të akuzuarës dhe të vërtetojë aktgjykimin e shkallës së parë.

Pas vlerësimit të pretendimeve ankimore, Gjykata e Apelit refuzoi ankesën e avokates Keqekolla- Gashi si të pabazuar për shkak se sipas Apelit në ankesë nuk përmenden fakte apo rrethana të reja të cilat nuk i ka pasur parasysh shkalla e parë por vetëm ceken disa rrethana lehtësuese të cilat janë të theksuara edhe në aktgjykimin e goditur me ankesë.

Më 24 dhjetor 2019 e akuzuara kishte pranuar fajësinë për veprën penale – organizimi dhe pjesëmarrja në grupin terrorist.

Dosja e Prokurorisë shpjegon se e akuzuara Agnesë Zuzaku me dashje dhe vetëdije të plotë më 12 shtator 2014, ka kaluar përmes pikës kufitare të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, së bashku me bashkëshortin e saj Alejhim Maliqi dhe vajzën e saj duke udhëtuar në drejtim të Stambollit në Turqi.

Sipas aktakuzës, e akuzuara Zuzaku ka vazhduar për në Siri, në zonën e konfliktit Siri-Irak me qëllim qe të iu bashkëngjitet grupeve terroriste “ISIS” dhe “Al-Nusra”.

Më tutje në aktakuzë thuhet se Agnesë Zuzaku gjatë qëndrimit në Siri në zonat e luftës ka pranuar shuma nga 50 deri 150 dollarë në muaj, pako ushqimore dhe gjëra higjienike dhe se bashkëshorti i saj Alejhim Maliqi, ka ushtruar me ushtrinë siriane si dhe ka dhënë ligjërata në xhaminë e qytetit Minbixh, ndërsa e akuzuara më 20 prill 2019 është riatdhesuar në Kosovë nga autoritetet e drejtësisë amerikane.

Dënohet kosovarja që u vizitua në Siri nga Lavdrim Muhaxheri e Ridvan Haqifi