Gjilan – Gjykata dërgon në paraburgim dy të dyshuarit për vjedhje në Malishevë

Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë se Gjilanit duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve të pandehurve I. A. dhe E. H.

Sipas njoftimit të gjykatës, të dyshuarit me 15 nëntor pas mesnate, në fshatin Malishevë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete ose personin tjetër kanë kryer vjedhje të rëndë.

Të dyshuarit me përdorimin e forcës duke hapur dritaren me mjet të fortë kishin arritur të hynin në shtëpinë e të dëmtuarit M. I.

Të pandehurit, sipas prokurorisë, kishin demoluar dhomat e shtëpisë dhe kanë marrë një kasafortë të hekurit të njëjtën e kanë thyer, gjithashtu kanë marrë një armë AK47, një pushkë gjuetie “Altay Magnum”, një pushkë pumparic, një pushkë karabin RKS – 2019, pesëmbëdhjetë fishekë të kalibrit 12A dhe 33 fishekë të kalibrit 9 mm.

Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprat penale në bashkëkryerje “vjedhje e rëndë”, armëbajtje pa leje dhe “importi, eksporti, furnizimi, transporti, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo mjeteve plasëse” vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, pasi që masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Andaj të dyshuarve u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.