Gjilan, Dënohet roja i pyellit dhe menaxherin i një kompanie private, akuzoheshin për dy vepra penale

Skënder Fetiu, roje pyelli në Kamenicë, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhe Kamer Leci, menaxher i një kompanie private, i akuzuar për veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike, janë gjetur fajtor dhe janë dënuar nga Gjykata e Gjilanit.

Fetiu për vepren penale keqpërdorim i detyrës zyrtare është dënuar me dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 8 muajve dhe dënim me gjobë në shumën prej 500 euro.

Kurse Leci, i cili akuzohej për veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike gjithashtu është dënuar me dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 4 muajve dhe dënim me gjobë në shumën prej 3,500 euro.

Pala e dëmtuar Agjensioni i Pyjeve të Kosovës, në Kamenicë për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Kujtojmë se në fjalën përfundimtare të dhënë më 20 tetor, prokurori  Shaban Spahiu pati thënë se mbetet në tërësi pranë aktakuzës, duke theksuar se me provat që janë siguruar gjatë hetuesisë të akuzuarit e kanë kryer veprën penale.

Prokurori Spahiu, në fund i pati propozuar gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë.

Në anën tjetër, mbrojtësit e të akuzuarve në fjalën përfundimtare e kanë kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, dhe i kanë propozuar trupit gjykues që të mbrojturit e tyre të lirohen nga akuza.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Skënder Fetiu, duke qenë person zyrtar-roje pylli në Kamenicë, po ashtu i autorizuar për dhënien e fletë përcjellësve për transportin e masës drusore dhe përcjelljen e punimeve të firmës “Mirvete Leci BI”, në Kamenicë, i akuzuari nuk i ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për sigurimin e pyjeve.

Tutje sipas Prokurorisë, i akuzuari me veprimet e tij iu ka mundësuar personave (deri më tani), të pa njohur që të marrin drunj në vlerë prej mbi 16,000 euro.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, i akuzuari tjetër Kamer Leci, duke qenë i autorizuar nga kompania “Mirvete Leci BI”, për mbikëqyrjen e punimeve në fshatin Krilevë, i akuzuari pas njoftimit nga kompania e cekur se i ka ndërprerë punimet e më tejme, nuk ka vepruar në harmoni me udhëzimin administrativ me numër 06/2010, duke iu mundësuar personave të tjerë marrjen e masës drurore në shumën prej mbi 16,000 euro.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

Prek fundin gjykimi ndaj zyrtarit të pyjeve në Kamenicë dhe menaxherit të kompanisë private