Prek fundin gjykimi ndaj zyrtarit të pyjeve në Kamenicë dhe menaxherit të kompanisë private

Në Gjykatën e Gjilanit, është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ndaj të akuzuarit Skënder Fetiu, roje pylli në Kamenicë, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhe ndaj Kamer Lecit, menaxher i një kompanie private, i akuzuar për veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike.

Në fjalën përfundimtare, prokurori  Shaban Spahiu tha se mbetet në tërësi pranë aktakuzës, duke theksuar se me provat që janë siguruar gjatë hetuesisë të akuzuarit e kanë kryer veprën penale.

Prokurori Spahiu, në fund i propozoi gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë.

Në anën tjetër, mbrojtësit e të akuzuarve në fjalën përfundimtare e kundërshtuan aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan, dhe i propozuan trupit gjykues që të mbrojturit e tyre të lirohen nga akuza.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 22 tetor 2021, në ora 13:00.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Skënder Fetiu, duke qenë person zyrtar-roje pylli në Kamenicë, po ashtu i autorizuar për dhënien e fletë përcjellësve për transportin e masës drusore dhe përcjelljen e punimeve të firmës “Mirvete Leci BI”, në Kamenicë, i akuzuari nuk i ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për sigurimin e pyjeve.

Tutje sipas Prokurorisë, i akuzuari me veprimet e tij iu ka mundësuar personave (deri më tani), të pa njohur që të marrin drunj në vlerë prej mbi 16,000 euro.

Gjithnjë sipas aktit akuzues, i akuzuari tjetër Kamer Leci, duke qenë i autorizuar nga kompania “Mirvete Leci BI”, për mbikëqyrjen e punimeve në fshatin Krilevë, i akuzuari pas njoftimit nga kompania e cekur se i ka ndërprerë punimet e më tejme, nuk ka vepruar në harmoni me udhëzimin administrativ me numër 06/2010, duke iu mundësuar personave të tjerë marrjen e masës drurore në shumën prej mbi 16,000 euro.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

Drejt fundit Gjykimi për dëmtimin e pyellit në Kamenicë