Foto: Gjykata e Gjilanit

Gjilan, 12 vjet burg për të akuzuarin për vrasje të rëndë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme

Gjykata e Gjilanit e ka shpallur fajtor të pandehurin V.H. për tri pikat e aktakuzës – vrasje e rëndë, armëmbajtje pa leje dhe posedim të narkotikëve.

I pandehuri u dënua me 12 vjet burgim dhe 500 euro gjobë.

Gjykata e gjeti fajtor për posedim të pautorizuar të narkotikëve të akuzuarin tjetër, E.N. dhe e dënoi me 6 muaj burgim dhe 800 euro gjobë.

Kurse vendim lirues është marrë lidhur me akuzën për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes të rëndë, e cila rëndonte mbi E.N. dhe R.I.

Sipas njoftimit, Gjykata ka vlerësuar se më 8 nëntor 2021, rreth orës 20:40 minuta, në Gjilan, në lagjen “Arbëria”, respektivisht afër shtëpisë së E.R., i pandehuri V.H. e ka tejkaluar mbrojtjen e nevojshme dhe me qëllim të fitimit të dobisë pasurore në shumën rreth 200 euro e ka vrarë E.R.

Sipas dosjes, në momentin e vrasjes është vënë në rrezik edhe jeta e të dëmtuarve B.K. dhe A.S.

Komunikata përshkruan se V.H. së bashku me E.N. dhe I.R. kishin shkuar te shtëpia E.R. me ç’rast V.H. me revole në dorë i ishte drejtuar viktimës duke i thënë: “Bjermi paret!”.

Me këtë rast E.R. kishte hyrë në shtëpi dhe kishte marrë revole me ç’rast e kishte qëlluar katër herë V.H. duke i shkaktuar lëndim të lehtë trupor.

Kurse i akuzuari kishte shtënë dy herë në drejtim të viktimës. Goditja e dytë kishte qenë fatale për viktimën.

Palët e pakënaqura mund ta ankimojnë këtë vendim në Gjykatën e Apelit.