Gjykimi i rojeve të pyllit për ryshfet - Prizren - 04.02.2019 - KALLXO
Prokurori kërkon dënimin e rojeve të pyllit të akuzuar për 100 Euro ryshfet
Përfundon gjykimi i rojeve të pyellit për 100 euro ryshfet, të mërkuren shpallet vendimi.
Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar që dy rojet e pyllit të akuzuar për marrje të ryshfetit, Avdi Trolli dhe Nuhi Bajraktari, të shpallen fajtorë dhe të dënohen.
Një propozim të tillë e ka dhënë prokurori Mehdi Sefa, në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ku është dhënë fjala përfundimtare në këtë rast.
Sipas aktakuzues, më 29 tetor 2014, në afërsi të restorantit “Giri” në Qafë të Duhlës, të akuzuarit në cilësinë e rojeve të pyllit në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Suharekës, në mënyrë të drejtëpërdrejtë kërkojnë para për vete, me qëllim të mos veprojnë në pajtim me detyrat e tyre zyrtare, raporton KALLXO.com.
https://kallxo.com/gjykimi-i-rojeve-te-pyllit-per-100-euro-ryshfet/
Gjithnjë sipas aktakuzës, i dëmtuari Fehmi Qatani ia jep 45 euro të akuzuarit Nuhi Bajraktari, i cili fillimisht i merr këto para dhe shkon në konsultim me të akuzuarin Avdi Trolli, i cili ishte në automjet, ky i fundit sipas Prokurorisë e hap dritaren e automjetit dhe nga aty i gjuan paratë, dhe kërkon nga i dëmtuari 100 euro për mos paraqitje të rastit në Gjykatë.
Në seancën ku u dha fjala përfundimtare, prokurori Mehdi Sefa, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare, kërkoi nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Skender Çoçaj, që gjatë marrjes së vendimit të ketë parasysh të gjitha provat dhe dëshmitarët e dëgjuar gjatë këtij gjykimi, të cilët sipas tij, e kanë vërtetuar fajësinë e të akuzuarve Trolli dhe Bajraktari.
“Mbetemi në tërësi pranë aktakuzës ndaj dy të akuzuarve Avdi Trolli dhe Nuhi Bajraktari, për veprën penale si në dispozitiv të akuzës. Meqë gjatë shqyrtimit kryesor, pas administrimit të provave, dëgjimit të dëmtuarit në cilësi të dëshmitarit Fehmi Qatani, dëshmitarëve Gjafer Shukolli dhe Artan Qatani, si dhe leximit të provave materiale, me të gjitha këto prova, në tërësi është vërtetuar gjendja faktike e përshkruar si në dispozitiv të aktakuzës”, ka deklaruar prokurori Sefa.
Ai ka thënë se është evidente se dy të akuzuarit Trolli dhe Bajraktari, kanë kërkuar të holla nga i dëmtuari Fehmi Qatani, me qëllim që ndaj tij të mos shqiptohet fletëparaqitje pr prejrje ilegale të pyjeve publike.
Ai ka thënë se sipas deklaratës së të dëmtuarit Qatani, është vërtetuar se i akuzuari Bajraktari i ka pranuar 100 euro, ku në shoqëri me të ka qenë edhe i akuzuari Trolli.
Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Avdi Trollit, avokatja Sabrije Syla, gjykatës fjalën përfundimtare ia ka parashtruar në formë të shkruar, e gjatë elaborimit të së njëjtës, ajo ka thënë se i kundërshton pohimet e organit të akuzës, pasi që sipas saj, i akuzuari Trolli nuk e ka kryer një vepër të tillë për të cilën ngarkohet.
“Bazuar në të gjitha provat e administruara në këtë gjykim, rezulton fakti se me asnjë provë nuk u vërtetua fajësia e klientit tim, si dhe nga gjykata kërkoj aktgjykim lirues”, ka thënë avokatja e të akuzuarit Avdi Trolli.
Ndërkaq, i akuzuari tjetër Nuhi Bajraktari, i cili në këtë gjykim nuk ka pasur të angazhuar mbrojtës, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se i kundërshton pohimet e prokurorit të rastit, pasi që sipas tij, nuk ka bazë ligjore që e ngarkon atë me këtë vepër penale.
“Të gjitha ato që i tha prokurori në fjalën e tij përfundimtare i kundërshtoj, pasi që nuk ka bazë ligjore për të cilën jam akuzuar, pika e parë prokurori e përmendi restaurant “Giri”, i cili restaurant nuk punon fare, dhe as që kemi qenë aty, e dyta është se unë me Avdi Trollin, nuk punojmë në të njëjtën zonë”, ka thënë i akuzuari Bajraktari.
Ai ka shtuar se në ditën kritike nuk ka qenë së bashku me të akuzuarin Avdi Trolli, pasi që sipas tij, edhe fletëparaqitja ndaj të dëmtuarit Fehmi Qatani, tregon se ai nuk figuron fare si dëshmitar.
Trupi gjykues me kryetarin Skender Çoçaj, e Bashkim Beshi e Xhemil Elshani, anëtarë, e shpallën të përfunduar këtë gjykim, duke thënë se shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet të mërkurën më 6 shkurt, në ora 13:00.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 28 shtator 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Avdi Trollit dhe Nuhi Bajraktarit, me pretendimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “marrito, je e ryshfetit”.