Drejt fundit gjykimi ndaj të akuzuarit për terrorizëm

Në gjykatën e Prishtinës sot ka përfunduar gjykimi ndaj të pandehurit Fitimi Lladrovci i akuzuar për veprën penale të shtytjes për kryerjen e veprave terroriste.

Në seancën e mbajtur që njëkohësisht është edhe seanca gjyqësore e fundit për këtë rast është dhënë fjala përfundimtare nga palët.

Prokuroria Speciale akuzon Lladrovcin se përmes rrjeti social facebook kishte shpërndarë foto dhe video përmes se cilave kishte shprehur gëzimin dhe kishte përkrahur sulmet terroriste.

Prokurorja Fikrije Fejzullahu fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim ndërsa duke e elaboruar të njëjtën ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin ta shpall fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit.

“Në këtë rast ka pasur shumë pak prova por të cilat kanë qenë relevante dhe të arsyetuara mirë. Kemi pasur prova materiale që kanë rezultuar në nxjerrjen e fotografive e videove nga rrjeti social facebook, në bazë të se cilave është vërtetuar se i pandehuri ka kryer veprën penale… Duke pasur parasysh edhe këto dhe të kaluarën e të akuzuarit prokuroria gjykatës i propozon që të njëjtin ta shpall fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit”, tha Fejzullahu.

Tutje prokurorja ka thënë se nga ekspertiza psikiatrike është vërtetuar se i pandehuri kishte pasur një çrregullim por se në kohen e kryerjes së veprës penale kishte qenë i vetëdijshëm.

Kurse mbrojtësi i të pandehurit Lladrovci, avokati Arsim Bilalli ka kërkuar nga gjykata që ta liroj klientin e tij.

Bilalli ka thënë se provat e propozuara nga prokuroria si ishin fotot dhe videot e marra nga rrjeti social facebook sipas tij kanë rezultuar në prova pa asnjë fuqi provuese, sepse të njëjta kanë qenë në kohën kur i pandehuri ishte ne bazat e luftimeve në Siri.

Mbrojtësi i të pandehurit po ashtu ka thënë se për mbrojtjen  por edhe për trupin gjykues ky veprim i të pandehurit është një shprehje e mendimit të lirë ose thënë një mendim i shprehur personalisht.

“Prandaj për neve konsiderojmë se veprimet e Fitim Lladrovcit janë veprime të cilat nuk inkriminohen me asnjë element të ndonjë vepre penale e lëre me për veprën penale për të cilën akuzohet“, tha Bilalli.

Sipas aktakuzës Fitim Lladrovci ka bërë shtytjen ne kryerjen e veprave terroriste, në atë mënyre që prej viti 2018 deri me datë 24 prill 2019, përmes rrjetit social në Facebook, me anë të një postimi ka shprehur gëzimin dhe ka përkrahur sulmet e fundit terroriste që kishin ndodhur në kisha dhe hotele në Sri Lanka- ku humbën jetën të paktën 139 persona, në mesin e të cilëve edhe 45 fëmijë.

Siç përshkruhet në aktakuzë i pandehuri ka postuar video incizime, fotografi dhe komente në formë të shkruar duke shprehur haptazi përkrahjen dhe simpatinë ndaj Organizatës terroriste – Shteti Islamik “ISIS“, përmes të cilave postime shpreh urrejtje ndaj pjesëtareve tjerë të komunitetit dhe propagandon islamizmin.

Tutje i akuzuari Lladrovci  nga fotografitë e publikuara që paraqesin “Xhihadistë“ dhe “Sulmues  vetëvrasës“, i ka komentuar me qëllim që të shtyjë kryerje e aktit terrorist, duke shkaktuar rrezik serioz që vepra të tilla edhe të kryhen.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “ Shtytja për kryerjen e veprave terroriste.

Kryetari i trupit gjykues Valon Kurtaj ka njoftuar se gjykimi ndaj Lladrovcit ka përfunduar sot, ndërsa shpallja e aktgjykimit ndaj të njëjtit do të bëhet të premten në gjykatën e Prishtinës.