Seanca fillestare ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve në rastin e '53 milionëshit' - 04.05.2022

Dështon seanca për ‘53 milionëshin’

Seanca gjyqësore ndaj ish ministrit Pal Lekaj dhe tre zyrtarëve të tjerë Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri në rastin e 53 milionëshit ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën e Prishtinës.

Mungesa e të akuzuarit Pal Lekaj ka bërë që të dështoj seanca e planifikuar të mbahej sot.

Sipas mbrojtësit të tij, i pandehuri përmes mbrojtësit i kishte dorëzuar dy parashtresa me të cilat ka paralajmëruar mungesën e tij.

“Konfrom kërkesës së subjektit politik…, është angazhuar në udhëtim zyrtar dhe këtë e ka arsyetuar me provë”- tha mbrojtësi i Pal Lekajt, avokati Musa Damati.

Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38,321,346.00 euro.

Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.

Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Vendimin për ndarje e kishte nënshkruar në atë kohë Ramush Haradinaj sa ishte në krye të Qeverisë.

Raportimet e KALLXO lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni në LINK