Gjykimi i Ukë Rugovës për vizat italiane - Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Ukë Rugovës pasaportën dhe dy fotografi për vizë ia dorëzova në Kuvendin e Kosovës

Në gjykimin e Ukë Rugovës  dhe 4 të akuzuarve të tjerë  për mashtrim me vizat italiane sot është dëgjuar dëshmia e anëtarëve të personelit të rezidencës së familjes Rugova.

Gjatë ditës së sotme, dëshmi kanë dhënë 19 dëshmitarë.

Ata kanë rrëfyer përvojën e tyre gjatë procedurës për marrjen e vizave Schengen, të lëshuara në Ambasadën italiane në Prishtinë.

I pari që dha dëshminë sot ishte Skender Halili, i cili tregoi se që nga viti 1999 punon si pjesëtar i sigurimit në rezidencën e familjes së ish-presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugovës.

Dëshmitari tha se qëndron pas deklaratës së dhënë më parë në Polici lidhur me këtë rast.

Ai tha se pasi kishte nevojë për një vizë, kishte biseduar me familjen Rugova.

“Ata për vizë më kanë kërkuar vetëm dy fotografi dhe pasaportën. Sigurimin shëndetësor nuk e kam paguar unë por familja”, tha Skender Halili, duke aluduar në familjen Rugova.

“Personalisht nuk kam shkuar në ambasadë por për një ose dy javë më është kthyer përgjigjja që kam marrë vizën edhe pse nuk kam udhëtuar askund me këtë vizë”, shtoi dëshmitari.

E dëshminë e përfundoi duke thënë se nuk ndjehet aspak i dëmtuar por i vjen keq që Ukë Rugova po i vuan pasojat “edhe pse vetëm është mundu me më ndihmu”.

Ndërsa dëshmitarja, Sebahate Halili, asistente për shërbim në rezidencën Rugova, e motra e dëshmitarit të parë, deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklaratës së datës 20 gusht 2015.

Ajo tregoi se për vizë kishte kërkuar ndihmë nga tani i akuzuari Ukë Rugova, dhe pasi viza i ishte rregulluar kishte udhëtuar në Suedi, ku kishte qëndruar dy muaj dhe gjatë udhëtimit në kufi të shteteve nuk kishte pasur asnjë problem.

Në këtë proces gjyqësor u dëgjua edhe shoferi i familjes Rugova, dëshmitari Luart Loxhaj, i cili deklaroi se Ukë Rugovën dhe presidentin e ndjerë i ka  familjarë.

“Kisha nevojë për një vizë për ta  shoqëruar nënën jashtë vendit për shërim”, tha dëshmitari.

“Për punën e vizës unë me Ukën s’kam folë direkt, por me pjesëtarët e  sigurimit të Ukës, të cilëve ua kam dorëzuar fotot, certifikatën, pasaportën, për të cilat  nuk kam paguar asgjë”, tha dëshmitari Loxhaj.

I pyetur se a e ka paguar policën e  sigurimit shëndetësor, dëshmitari tha se “Uka e ka bërë sigurimin shëndetësor”.

Dëshmitari Loxhaj tregoi vizën e ka marrë për 6 muaj me shfrytëzim për 30 ditë dhe se ka qenë në Itali për 3-4 ditë.

“Pasi e kam vendos nënën në spital jam kthyer për Kosovë”, tha dëshmitari.

Dëshmitari Fidan Hasani deklaroi se ka punuar te familja Rugova para 8 viteve, edhe si shofer edhe si sigurim.

“Unë kam kontaktuar me Ukën për me marrë vizën me shku në Gjermani. Uka nga unë ka kërkuar pasaportën dhe 2 fotografi dhe nuk kam paguar asgjë lidhur me këtë vizë”, tha dëshmitari.

“Me këtë vizë kam shkuar në Gjermani dhe pas 3 jave jam kthyer. Nuk kam pasur asnjë problem”, shtoi ai.

I pyetur nga gjykatësja Nushe Kukaj Mekaj se si i ka ndihmuar Ukë Rugova për ta marrë vizën, dëshmitari Fidan Hasani deklaroi se “nuk kam përgjigje”.

Edhe dëshmitari Fisnik Qysa deklaroi se qëndron pranë deklaratës së dhënë më herët.

Po ashtu, ai para Gjykatës tha se në atë kohë ka qenë asistent i grupit parlamentar të AKR-së me “Listën Ibrahim Rugova” në Kuvend dhe në muhabet e sipër me grupin parlamentar Ukë Rugova më ka ndihmuar rreth vizës.

‘’Më ka kërkuar pasaportën dhe dy foto, të cilat ia kam dorëzuar në Kuvend’’, tha dëshmitari Fisnik Qysa.

Ai tutje vazhdoi se viza i është rregulluar për një javë ose 10 ditë, me validitet 2 vjet, dhe se atë e ka shfrytëzuar një vit më vonë me ç’rast ka udhëtuar për në Gjermani.

Dëshmitari tregoi se në rezidencën e familjes Rugova ka qenë mirëmbajtës i kopshtit.

Seanca e datës 18 nëntor kishte dështuar të mbahej për shkak të mungesës së të akuzuarit Astrit Haraqija, për të cilin ishte urdhëruar Policia për ta  sjellë me forcë.

Andaj seanca e sotme ka vazhduar me dëgjimin edhe të 14 dëshmitarëve të tjerë.

Pesë të akuzuarit, përfshirë edhe Ukë Rugovën, të birin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, akuzohen të jenë të përfshirë në sigurimin e rreth 500 vizave italiane Schengen, në mënyrë të parregullt.

Aktakuza thotë se ata i kanë përfshirë rreth 500 persona si familjarë të familjes Rugova, me qëllim të përfitimit të këtyre vizave.

Gjithashtu, prokurorja lexoi edhe ndryshimet që i janë bërë aktakuzës, në të cilën Ukë Rugova, Izet Beqiri dhe Qefser Baholli u akuzuan edhe për armëmbajtje pa leje.