Dënime deri në 15 vjet burg për marrje dhe dhënie ryshfeti

Marrja dhe dhënia e ryshfetit janë vepra penale të dënueshme me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës.

Sipas ligjit, një veprim i tillë mund të rezultojë me gjobë dhe burgim deri në 15 vjet.

Personi zyrtar i cili kërkon apo pranon të holla dhe dhurata që të veprojë ose të mosveprojë sipas detyrës së tij, rrezikon të dënohet deri në 8 vjet burg. 

Njëjtë dënohet edhe personi i cili jep premtim, para apo dhurata personit zyrtar.

Në rastet kur përfitohet shuma 15 mijë euro, dënimi ashpërsohet nga 5 deri në 15 vjet burg.

Statistikat nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas, tregojnë se numri i lëndëve të pa zgjidhura të kësaj natyre ka shkuar duke u rritur.

Gjykatat në Kosovë, sipas statistikave nga databaza, për tre vite për periudhën 2017-2019 kanë pasur në punë 169 lëndë të kësaj natyre. Prej këtyre rasteve 64 lëndë janë zgjidhur ndërsa 103 kanë mbetur pa u zgjidhur.

Gjatë vitit 2017-2019, nga të dhënat rezulton se për marrje ryshfeti u shqiptuan 22 dënime me burgim, 15 me gjobë, ndërkaq u dhanë 9 vendime liruese. 

Gjatë po kësaj periudhe sipas statistikave për këtë vepër penale, u morën 11 dënime me kusht dhe u dhanë 3 aktgjykime refuzuese.

Duke iu referuar të dhënave të hapura, situata paraqitet ndryshe sa i përket veprës penale të dhënies së ryshfetit. 

Sipas databazës, nga 98 lëndë në punë vetëm 2 vendime u morën me burgim, ndërkaq u shqiptuan 42 dënime me gjobë dhe 13 me kusht.

Gjatë periudhës 2017-2019, gjykatat për dhënie ryshfeti morën një aktgjykim lirues dhe 3 vendime refuzuese.

Këto tri vite gjykatat i përmbyllën me 64 lëndë të zgjidhura dhe 34 të pazgjidhura të dhënies së ryshfetit.

Marrja e ryshfetit

Personi zyrtar ose personi i huaj zyrtar apo zyrtari publik i huaj, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, kërkon ose pranon ndonjë dhuratë apo përfitim tjetër për vete apo personin tjetër, ose që pranon ofertën apo premtimin për dhuratë apo përfitim të tillë, në mënyrë që personi zyrtar ose personi i huaj zyrtar apo zyrtari publik i huaj të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, dënohet me gjobë dhe me burgim prej 1 deri në 8 vjet. 

Personi zyrtar ose personi i huaj zyrtar apo zyrtari publik i huaj i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, kërkon ose pranon ndonjë dhuratë apo përfitim tjetër për vete apo personin tjetër, ose që pranon ofertën apo premtimin për dhuratë apo përfitim të tillë, në mënyrë që personi zyrtar ose personi i huaj zyrtar apo zyrtari publik i huaj të veprojë ose të mos veprojë, në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, dënohet me gjobë dhe me burgim prej 3 deri në 12 vjet. 

Nëse vepra penale rezulton me dobi materiale në vlerë që tejkalon 15 mijë euro, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej 5 deri në 15 vjet.

Dhënia e ryshfetit

Kushdo që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, për vete apo për një person tjetër i premton, ofron ose i jep ndonjë dhuratë të paarsyeshme apo përfitim tjetër personit zyrtar, në mënyrë që ai person të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 5 vjet. 

Kushdo që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, për vete apo për një person tjetër i premton, ofron ose i jep ndonjë dhuratë të paarsyeshme apo përfitim tjetër personit zyrtar, në mënyrë që ai person të veprojë ose të mos veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, dënohet me gjobë dhe me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet. 

Nëse vepra penale rezulton me përfitim në vlerë që tejkalon 15 mijë euro, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej 1 deri në 8 vjet.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin”.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.