Dëgjohen dëshmitarët në rastin e togerit, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Në shqyrtimin kryesor ndaj të akuzuarit Ejup Mehani, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, janë dëgjuar dëshmitarët.

Dëshmitarët, janë cilësuar poashtu si të dëmtuar në aktakuzë, por në seancën e sotme ata hoqën dorë nga parashtrimi i kërkesës pasurore juridike. Ashtu që me këtë, kanë humbur epitetin e të dëmtuarve.

Si dëshmitarë u dëgjuan, vëllezërit Krasniqi. Qazim Krasniqi dhe vëllai i tij Remzi Krasniqi.

Dëshmitari Qazim Krasniqi tha se në ditën kritike, është kërcënuar te dera e oborrit të tij, nga N. S. për shkak se kishin pasur kontest pronësor.

“Kur kam shkuar në polici herën e parë, nuk më kanë marrë parasysh, një polic më i ri më ka thënë se po rrej”, tha dëshmitari Qazim Krasniqi.

“N. S., ishte blerës i pronës, dhe kërkonte nga ne që t’ia lirojmë pronën, por pasi nuk e kishte kryer obligimin, ne kërkuam që ta kryejë obligimin dhe më pas ta noterizojmë kontratën. Mirëpo ai u arsyetua se nuk ka mundësi ta kryejë obligimin deri sa të shiste dhe ndonjë pronë tjetër”, tha dëshmitari Qazim Krasniqi.

“Pasi ne nuk u pajtuam, ai më kërcënoi me fjalët “të ia heqë siguresën bombës apo ta përdori armën”, por nuk e kam pa se ka pas ndonjë armë me vete”, shtoi dëshmitari Krasniqi.

Kurse dëshmitari Remzi Krasniqi, tha se vëllai i tij Qazimi, i ka treguar se është kërcënuar nga N. S., ashtu që ai ka shkuar në polici para Qazimit.

“Kur kam shkuar ta paraqes rastin, më kanë thënë le të vijë vëllai të deklarojë sepse kontrata është në emër të tij dhe pastaj ka ardhë Qazimi. Unë nuk kam dhënë deklaratë sepse, më kanë thënë të dalë jashtë”, tha dëshmitari Remzi Krasniqi.

Të dy dëshmitarët poashtu deklaruan, se nuk e njohin të akuzuarin Ejup Mehani.

Kurse i akuzuari, Ejup Mehani u deklarua i pafajshëm.

“Do ta shfrytëzoj, mbrojtjen në heshtje”, tha i akuzuari Mehani.

Ejup Mehani, toger i Policisë, akuzohet se më 12 shkurt të këtij viti, ka keqpërdorur pozitën zyrtare me qëllim që t’ua shkelë të drejtat të dëmtuarve, Qazim Krasniqi dhe Remzi Krasniqi.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Mehani në cilësinë e Udhëheqësit të Njësisë reaguese në Stacionin Policor “Veriu” në Prishtinë, qëllimisht nuk e ka përmbushur detyrën e tij dhe nuk kishte hapur rast lidhur me një kanosje të cilën e kishin paraqitur të dëmtuarit Remzi Krasniqi dhe Qazim Krasniqi.

Aktakuza specifikon se fillimisht, Remzi Krasniqi kishte shkuar në stacion policor për të lajmëruar rastin e kanosjes, të cilin ai pretendonte se ia kishte bërë një person me inicialet N. S. por Remzi Krasniqi ishte udhëzuar nga rreshteri policor Ahmet Isufi që të vinte vëllai i tij Qazim Krasniqi për të dhënë deklaratë pasi që ai qenka kanosur.

Aktakuza sqaron se pas disa minutave në Stacionin Policor kishte arritur i dëmtuari Qazim Krasniqi i cili ishte takuar me zyrtarin policor Ejup Mehani.

Aktakuza thotë se vëllezërit Krasniqi i kishin shpjeguar togerit se personi N.S. i kishte kanosur, duke iu thënë fjalë kërcënuese: “Nuk më ka mbetë gjë tjetër vetëm se me ju gjuajt bombën” dhe për këtë i pandehuri Ejup Mehani nuk kishte hapur rast. Poashtu nuk kishte evidentuar ndonjë raport të policisë, përkundër faktit se të dëmtuarit Remzi Krasniqi dhe Qazim Krasniqi e kishin lajmëruar rastin e kanosjes me mjet të rrezikshëm, të cilin e kishte bërë personi N. S.

Seanca e radhës do të mbahet me 14 dhjetor në ora, 9:15.