Adem Grabovci në gjykatë (Arkiv). Foto: Kallxo.com

Adem Grabovcit i vërtetohet dënimi për aferën 'Pronto'

Përmes një komunikate për media, Gjykata Supreme ka njoftuar se pas shqyrtimit të ankesave të Prokurorisë Speciale dhe mbrojtësve të të akuzuarve, ka vendosur që ta vërtetoj aktgjykimin e Gjykatës së Apelit ndaj Adem Grabovcit.

Gjykata e Apelit në korrik të këtij viti kishte vendosur që ta aprovonte pjesërisht ankesën e Prokurorisë Speciale, vendim ky i cili e ndryshoi në disa pika aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me ç ‘rast Adem Grabovcin e gjeti fajtor.

Në korrik të këtij viti Apeli e ishte ndryshuar aktgjykimin lirues të 3 janarit të  Gjykatës së shkallës së parë dhe të akuzuarit Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sedat Gashin i kishte shpallur fajtorë.

Të akuzuarit janë gjetur fajtor për shkak të veprave penale të shkeljes së statusit të barabartë të shtetaseve dhe banorëve të Republikës së Kosovës.

Adem Grabovcit i është shqiptuar dënim unik prej 1 vjet e 2 muaj burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohet në rast se ai nuk kryen vepër tjetër penale, në kohëzgjatje pre 2 viteve. Atij i është hequr edhe e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 viteve, deri pas kalimit te periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ilhami Gashit i është shqiptuar dënim unik prej 1 viti e 4 muaj burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në raste se i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale në kohëzgjatje prej 2 viteve.

Atij gjithashtu i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 viteve, deri pas kalimit të periudhës së verifikimit të dënimit me kusht.

Ndërsa Sedat Gashi është dënuar, me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 8 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në raste se i akuzuari nuk kryen tjetër vepër penale në kohëzgjatje prej 1 viti. Atij i është hequr e drejta për t’u zgjedhur dhe i është ndaluar ushtrimi i funksioneve në administratën publike apo shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 vjetëve, deri pas kalimit te periudhës se verifikimit të dënimit me kusht.

Me 6 janar të vitit 2018-të Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj Adem Grabovcit, Arbenita Pajazitit, Ilhami Gashit, Besim Beqajt, Njazi Rexhës, Zenun Pajazitit, Xhavit Dakajt për veprën penale shkelje e statusit të barabartë të Kosovës.

Grabovci, Beqaj, Pajaziti dhe të tjerët akuzoheshin se gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011 kishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme në pozita udhëheqëse njerëz të afërt të tyre ose me partinë e tyre në ndërmarrjet publike “Trainkos”, “Infrakos”, “Hidro-Drini”, “Radoniqi-Dukagjini”.

Telefonatat që e dënuan Adem Grabovcin në aferën “Pronto”