Telefonatat që e dënuan Adem Grabovcin në aferën "Pronto”

Gjykata e Apelit e ka dënuar protagonistin kryesor të aferës “Pronto”, Adem Grabovcin për dy nga nëntë akuzat e Prokurorisë.

Grabovci i cili në nëntë raste u akuzua për shkelje të statusit të barabartë të qytetarëve u shpall fajtor javën e kaluar nga Apeli për dy punësime të kundërligjshme, pasi paraprakisht ishte liruar nga akuzat nga Gjykata e Prishtinës.

Sipas Apelit, ai kishte krijuar privilegje në baza të përkatësisë politike në punësimin e Blerim Camajt dhe Afrim Dautit.

Bashkë me Grabovcin, me vendimin e Gjykatës së Apelit u dënuan edhe ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi dhe këshilltari politik Sadat Gashi.

Adem Grabovci u dënua me një vit e dy muaj burgim, Ilhami Gashi me një vit e katër muaj ndërsa Sadat Gashi me 8 muaj burgim.

Sipas Apelit, tre të dënuarit nuk do të shkojnë në burg në rast se brenda 2 viteve nuk kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.

Zyrtarët e tjerë, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti, Nijazi Kryeziu, Arbenita Pajazitaj, Fatmir Shurdhaj, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi u liruan nga akuza pasi që Gjyakta vlerësoi se përgatitja për të kryer këtë vepër penale nuk është e dënueshme sipas ligjit.

Sipas Apelit, Gjykata e Prishtinës e ka vërtetuar gabimisht të vërteten në dy pikat e akuzës ku i kishte liruar Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sadat Gashit.

Apeli ka vlerësuar se trupi gjykues i kryesuar nga Shashivar Hoti ka gabuar edhe kur kishte konstatuar se të akuzuarit nuk e kishin cilësinë e zyrtarit pasi që sipas shkallës së dytë persona zyrtar konsiderohen personat e zgjedhur dhe të emëruar në poste publike.

Çka u mor për bazë në konkurset për të cilat u dënuan Grabovci dhe dy të tjerët?

Provat kryesore të cilat u morën për bazë me rastin e dënimit të tyre janë përgjimet telefonike, provat materiale si dhe emërimi i Blerim Camajt dhe Afrim Demirit në pozitat për të cilët të akuzuarit kishin biseduar përmes telefonit.

Çka përmban biseda mes Adem Grabovcit dhe Ilhami Gashit për punësimin e Blerim Camajt?

Ilhami Gashi: Urdhno Kryetar i kryetarve.

Adem Grabovci: A je larg?

Ilhami Gashi: Po ministri, po dal prej ministrie.

Adem Grabovci: Hajde po shkojmë deri në kryeministri niher.

Ilhami Gashi: Mirë.

Adem Grabovci: Si ta kryesh veç ma bon një telefon eh.

Ilhami Gashi: E vete, vete masi po shkon te shefi, për ARC çka me bo.

Adem Grabovci: Për?

Ilhami Gashi: Për Agjencionin e Regjistrit Civil, që e kom Blerim Camën, qa me bo me atë vend?

Adem Grabovci: Ah Blerim Camen.

Ilhami Gashi: Intervista o të premten, edhe vete çka po thot i madhi.

Adem Grabovci: Po duhet, ti i din rrethanat qysh janë aty.

Ilhami Gashi: Ti fol me t’madhin, se ky kryesus, so për aty ky veq për ni punë burrë.

Adem Grabovci: Ah mundesh me majt Blerimin.

Ilhami Gashi: Po muj aty tash, intervista të premten.

Adem Grabovci: Kështu gabime cilësore ska bo ah.

Ilhami Gashi: Thelbësore s’ka bo, për menaxher nuk o i aftë, po s’ki çka me bo burrë.

Adem Grabovci: Ëhë, ëhë hajt se bisedoj e të tregoj kur shihemi”, thuhet në provat e prokurorisë të propozuara në Gjykatë.

Gjykata e Apelit i ka aprovuar pretendimet e prokurorisë se Adem Grabovci dhe Ilhami Gashi kishin bashkëpunuar për t’i krijuar privilegje Blerim Camës për t’u zgjedhur Kryeshef i Agjencisë së Regjistrimit Civil.

Sipas Apelit, nga bisedat e telefonike të përgjimeve provohet përtej çdo dyshimi se të akuzuarit bashkëpunonin që Blerim Camajt t’i jepej përparësi, çka kishte rezultuar që ai të përzgjidhet në pozitën e Kryeshefit.

Konkursi tjetër për të cilin u dënuan Adem Grabovci dhe Ilhami Gashi është ai për emërimin e koordinatorit të Qendrës së Regjistrimit në Klinë.

Grabovci bashkë me Ilhami dhe Sadat Gashin u dënuan pasi që sipas Gjykatës së Apelit me anë të bisedave telefonike kishin ndikuar në punësimin e Afrim Dautit në pozitën e koordinatorit të Qendrës së Regjistrimit në Klinë.

Përmbajtja e bisedës telefonike për punësimin e Afrim Dautit që u mor për bazë nga Gjykata:

Ilhami Gashi: Urdhno, Kryeshef i shefave.

Adem Grabovci: Shefi i shefave, t’shefave, prej shefit.

Ilhami Gashi: Po po.

Adem Grabovci: Me Afrimin… Dautin a u përfundu?

Ilhami Gashi: Me?

Adem Grabovci: Afrim Dautin, kta të Klinës, atë juristin ?

Ilhami Gashi: Po mdoket qysh ke thanë ti qashtu e kem lanë.

Adem Grabovci: Po de po, hala ssss…., nuk o shpallë a?

Ilhami Gashi: Vec nuk u shpallë, nuk u shpallë në gazetë zyrtare se u kry.

Adem Grabovci: Hajde shpalle, qashtu bravo, hajde, hajde nesër, gjeni kohë e na qet ni drekë”, thuhet në provat e prokurorisë.

Këto biseda telefonike, provat materiale si dhe emërimi i Blerim Camajt dhe Afrim Dautit në pozitat përkatëse dërguan në dënimin e Adem Grabovcit, Ilhami Gashit dhe Sadat Gashit.

Arsyet e lirimit të Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve për shtatë pikat e tjera të Aktakuzës

Sipas Gjykatës së Apelit përgjimet e bisedave telefonike nuk kanë mjaftuar si prova për dënimin e zyrtarëve të tjerë të akuzuar për shkeljen e statusit të barabartë të qytetarëve.

Sipas kësaj, Gjykata këto biseda telefonike në mes të Adem Grabovcit dhe të akuzuarve të tjerë kanë paraqitur vetëm përgatitje për kryerjen e veprës penale dhe se, sipas Apelit, përgatitja për kryerjen e kësaj vepre nuk është e dënueshme me ligj.

“Gjykata e Apelit vlerëson se në këto raste kemi të bëjmë me veprime të përgatitjes së veprës penale, pasi kemi të bëjmë me komunikimet mes vete dhe po ashtu edhe qëllimin e tyre, mirëpo për tu konsideruar se vepra është kryer e që ka mbetur në tentativë duhet të ishin përmbushur elementet e veprës penale çka rezulton se ato nuk janë përmbushur”, thuhet në vendimin e Apelit.

Në fillim të këtij viti njëmbëdhjetë të akuzuarit e aferës “PRONTO”, ishin shpallur të pafajshëm nga Gjykata e Prishtinës.

Fjala “Pronto” ishte bërë e famshme në vitin 2014 kur rrodhën përgjimet e para ku politikanët e lartë të bisedonin në mes vete.

Ish shefi i deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci, ishte protagonisti kryesor në aktakuzën e Prokurorisë.
Grabovci ishte përgjuar teksa bisedonte me një numër të madh të zyrtarëve të shtetit ndër ta edhe me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçin.

Në këto biseda telefonike Adem Grabovci dëgjohej tek bisedonte në lidhje me punësime dhe emërime të ndryshme nëpër borde e pozita shtetërore.

Në një aktakuzë me 85 faqe, prokurorja speciale Drita Hajdari kërkonte që politikanët e kohës të dënoheshim për shkeljet të statusit të barabartë të qytetarëve.

Në aktakuzë u përfshinë Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe zëvendës ministri Fatmir Shurdhaj. Pjesë e aktakuzës ishin edhe  sekretarë të ministrive si Xhavit Dakaj dhe Ilhami Gashi.

Për t’u përballur të gjitha këto akuza, Adem Grabovci dhe dhjetë të tjerët ishin ulur  për herë të parë në bankën e të akuzuarit më 15 nëntor të vitit 2018.

Të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar se nuk e ndiejnë veten fajtorë për akuzat e Prokurorisë.

Pas disa shqyrtimeve gjyqësore, rastit “PRONTO”, i erdhi fundi. Më 3 janar 2020, trupi Gjykues i kryesuar nga Shashivar Hoti vendosi që 11 të akuzuarit t’i shpallë të pafajshëm.