Zyrtarja për ri-integrim: Aktivitetet për fëmijët e rikthyer nuk kanë përfunduar

Në emisionin “Drejtësia në Kosovë”, këtë javë u transmetua reportazhi për të rikthyerit dhe sfidat e tyre në risocializim.

Pamje ekskluzive të aktiviteteve të fëmijëve të cilat u mbajtën gjatë verës janë transmetuar në emision.

Ganimete Gërbovci, Zyrtare e ri-integrimit të personave të radikalizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka treguar se si ka ecur procedura e aktiviteteve me fëmijët e rikthyer

“Fillimisht ne kemi pasur, para se me përfundu ky operacion për rikthimin nga Siria, ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjet e tyre që kanë qenë ktu. Prej atëherë kemi pasur kontakte dhe kemi fitu një besueshmëri, nga i cili kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë”, tha ajo.

Tutje ajo shtoi se edhe bashkëpunimi me nënat e fëmijëve të rikthyer nuk ka munguar.

“I gjithë procesi nuk është i lehtë aspak, pasi që siç jeni në dijeni nuk kanë dokumente personale nuk janë të regjistruar në regjistrat e gjendjen ciivile në Kosovë si shtetas të Kosovës, kështu që të gjitha këto të shfaqin sfida dhe ngarkesë, po falë bashkëpunimit me akterët tjerë, e kanë kryer këtë proces në afat rekord”, shtoi ajo.

Ajo tregoi edhe se aktivitetet do të vazhdojnë me fëmijët e rikthyer.

Në prill të këtij viti, Kosova riktheu 110 persona nga luftërat e huaja. 4 burra, 32 gra dhe 74 fëmijë ishin rikthyer ndërsa institucione të ndryshme u angazhuan për trajtimin dhe risocializimin e tyre.

Në shtator pritej që fëmijët e rikthyer pas disa aktiviteteve parashkollore të fillonin procesin e mësimit.

Nga 74 fëmijët të cilët u kthyen me familjet e tyre në Kosovë në prill të këtij viti, 10 prej tyre i takojnë nivelit të kopshteve, 5 janë parashkollorë, 25 do të vazhdojnë arsimin fillor dhe 34 nivelin e mesëm të ulët dhe të lartë të arsimit.