VIDEO - Komunat pa buxhet për projektet për të rikthyerit nga Siria e Iraku
Në emisionin e fundit të ‘Drejtësia në Kosovë’ u transmetua hulumtimi për mungesën e përkrahjes financiare nga shteti në trajtimin dhe risocializimin e të rikthyerve nga zonat e luftës ne Siri dhe Irak.
Dy komunat më të prekura nga kjo dukuri Kaçaniku dhe Hani i Elezit nuk kanë mundësi buxhetore t’u ndihmojnë këtyre të rikthyerve me projekte për punësim.
“Kemi persona që kanë qenë në Siri dhe janë kthyer mirëpo ne si komunë kemi qenë të pafuqishëm që t’u ndihmojmë atyre përmes realizimit të ndonjë projekti. Ka persona që në mesin e tyre janë edhe specialistë të ndonjë lëmie që i kanë bërë kërkesë komunës mirëpo komuna nuk ka pasë mundësi financiare t’i ndihmojë për shkak të procedurave se edhe po të duash t’i ndihmosh një qytetari duhesh të kesh subvencione”, theksoi Rufki Suma, kryetar i Hanit të Elezit.
Gjendja nuk ndryshon shumë as në komunën e Kaçanikut.
“Në fakt ky ndoshta është edhe shqetësimi ynë në përgjithësi i shoqërisë kosovare por në veçanti i Kaçanikut që ndoshta si komunë e në pamundësi për t’u ofruar të rinjve në forma të ndryshme me i kyçë dhe kjo ndoshta do të mbetet edhe për një kohë të gjatë por po shpresojmë nga angazhimi ynë bashkërisht me nivelin qendror t’u krijojmë ndonjë mundësi këtyre të rinjve”, tha Besim Ilazi, kryetar i komunës së Kaçanikut.