VIDEO: Sfidat e Mekanizmit Referues për parandalimin e ekstremizmit në Gjilan

 

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” në pjesë e dytë u transmetua funskioni i Mekanizmit Referues në Komunën e Gjilanit për parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit.

Pasi që Komuna e Gjilanit pati një numër jo të vogël të personave që udhëtuan drejt zonave të luftës në Siri e Irak, me anë të një vendimi ishte themeluar Mekanizmi Referues në përbërje prej 16 institucioneve lokale e qendrore.

Komuna e Gjilanit, tash e katër vite ka një Mekanizëm Referues për parandalimin e dukurive negative, në thelb të ekstremizmit dhe terrorizmit.

Përveç sukseseve të cilat i ka ndarë ekipi i Mekanizmit Referues ata kanë treguar edhe sfidat që kanë hasur gjatë implementimit të strategjive për trajtimin e rasteve të parandalimit të ekstremizmit dhe terrorizmit.

Drejtori i Qendrës për Punë Sociale ka treguar një rast ku një psikologe për të trajtuar më mirë një rast ka kërkuar nga gratë e rikthyera që e zbuluar të tregoj për problemet që has.

“Ka pasur vështirësi sidomos te moshat e vjetëra te gjinia e kundërt sepse është një hezitim i grave që të flasin dhe komunikojnë me ne por fati i mirë është që fëmijtë e tyre janë të kyçur në institucione por nuk është keq me përmend që është vështirë komunikimi i grave në këtë rast sepse nuk pranojnë me qenë në asnjë formë pjesë e diskutimeve në mekanizëm dhe krijimin e hapësirave që ata na japin neve që më pas ne t’i gjendemi afër”, tregon Zymberi

Ai shton edhe se çfarë trajtime marrin të rikthyerit nga luftërat e huaja.

“Mekanizmi Referues e ka kërkuar nevojën me qenë edhe Qendra për Punë Sociale në të. Qendra për Punë Sociale gjithsesi është pjesë thelbësore e këtij mekanizmi sepse të gjithë mekanizmat e kryejnë punën e vet deri të kthehet pala dhe ne më pas merremi. Momentalisht duke pasur parasysh strukturën e ekipit, është fat i mirë që kemi edhe psikolog dhe kemi një numër të caktuar kemi më shumë femra se sa meshkuj dhe kryesisht sfidat kanë qenë me femrat që janë të mbuluara që ruajnë traditën arabe, e kemi angazhuar psikologën, përveç që e ka identifikuar policia dhe është dokumentuar, intervistat i ka zhvilluar psikologja e QPS dhe i ka obliguar që në zyrën e saj të jenë pa mbulesë në mënyrë që të dihet se me kënd po bisedon. Përjetimet janë të rënda, brengë i kemi fëmijët e tyre dhe po mundohemi të u ofrojmë terapi psiko-sociale që në mënyrë që ata të tejkalojnë atë krizë që kanë përjetuar atje”, shton ai.

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame, Naim Aliu thotë se sjelljet që arrihen të kuptohen nga ana e shoqërisë apo rrethit të ngushtë familjarëve, apo edhe në shkollë të ndonjë personi duhet të raportohen në mekanizëm që të trajtohet më pas rasti nga akterët që janë pjesë e tij.

“Unë mendoj që duhet që të gjitha shkollat të gjithë arsimtarët pa marrë parasysh në gjithë Kosovën, ku shohin ndonjë të ri apo të vjetër që dallon prej sjelljeve të shoqërisë apo bashkëmoshatarëve të vet, të raportojnë. Që shohin një njeri që po rrin i izoluar dhe ka qendrime që nuk janë në përputhshmëri me vendin tonë apo traditën tonë që të raportojnë në mekanizmin referues. Ky mekanizëm është mekanizëm i preventivës për mos me marrë rrugë të gabueshme”, tha Aliu.

Edhe Drejtori i Qendrës për Punësim thotë se ka sfida por që më shumë kanë arritur suksese.

“Ka pasur sfida sepse janë përmi nëntë raste të trajtuara dhe të gjitha rastet në mënyrë profesioanle janë trajtuar nga gjithë anëtarët e mekanizmit në bazë të kompetencave por të gjitha rastet janë treguar rezultate të mira dhe janë tërhequr nga dukuritë devijante”, tha Aliu.

Një Mekanizëm Referues i cili shërben për parandalimin e ekstremizmit dhe terrorizmit gjendet vetëm në Gjilan.

Gjilani ishte ballafaquar me shkuarje në Siri e Irak të qytetarëve të saj ndërsa pas rikthimit të 110 kosovarëve nga luftërat e huaja, rastet po trajtohen veç e veç.

Në shumë emisione Drejtësia në Kosovë, ka treguar për problemet e institucioneve relevante për trajtimin e terrorizmit dhe ekstremizmit.