Shqipe Breznica

VIDEO - Vetëdijesimi kundër migracionit në mëshirën e fondeve të huaja

 

Në emisionin e sontëm, ‘Drejtësia në Kosovë’ transmetoi hulumtimin për mungesën e përkrahjes financiare nga shteti në trajtimin dhe risocializimin e të rikthyerve nga zonat e luftës ne Siri dhe Irak si dhe mungesën e gatishmërisë së institucioneve shtetërore për t’i angazhuar të rinjtë e tjerë në aktivitete të cilat do të ndikonin që të rinjtë mos të largohen nga Kosova.

Shqipe Breznica nga organizata ‘HELP’ theksoi se kjo organizatë po vazhdon me ndarjen e garanteve që për qëllim kanë ndaljen e migracionit dhe ikjes së të rinjve nga Kosova.

“Prej vitit 2015 kemi dhanë 1400 grante. Granti është njëra prej mundësive që u ofrohet të rinjve, grave apo grupeve ekonomikisht të cenueshme me idenë me ju ofru vetëpunësim. Këto grante janë në shuma prej 2,000 deri në 3,500 euro në formë të pajisjeve. Donatorin kryesor e kemi Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe kohëve te fundit edhe fondet nga populli amerikan”, tha Breznica.

Ajo shtoi se dhënia e këtyre garantëve ka mundësuar ndaljen e migrimit.

Organizata tjetër e cila po kontribuon aty nuk po ndihet dora e shtetit është CDF. Rina Fetahaj nga kjo organizatë ka thënë për emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’ se po punojnë me nxënës të shkollave fillore dhe të mesme.

Rina Fetahaj

“Me programin tonë qe dy vite jemi duke punuar në Kaçanik edhe në Ferizaj ku punojmë me nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. Të gjitha aktivitetet janë ato jashtë kurikulës shkollore dhe ideja e programeve dhe aktiviteteve të ndryshme është marrë nga dëshira e nxënëseve ku fillimisht kemi bërë vlerësimin e nevojave të këtyre nxënëseve dhe mi pyet se çka kanë qejf me bo ata”, tha Fetahaj

“Duke u fokusuar ne këto dy komuna e specifikisht në Kaçanik e kemi vërejtë se shkollat kanë nevojë për investime shume ma të mëdha prej nivelit qendror duke marrë parasysh se ata janë në një situatë që mezi arrijnë t’i mbajnë orët e rregulla të kurikulës ndërsa sa i përket kurikulës për aktivitete ekstra ato nuk mbahen d.m.th. nuk ka mbështetje për me u mbajt ato”,  theksoi Rina Fetahaj nga CDF.