Zyrtarët e LDK-së nuk morën pjesë në përurimin e librit për Ibrahim Rugovën

Në Shtëpinë e Pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova”, nën patronazhin e presidentes, Vjosa Osmani, më 24.05.2024, me rastin e Ditës së Presidentit u përurua libri “Liria si imanencë njerëzore”.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin familjarët e ish- presidentit Ibrahim Rugova, deputetë nga partia “Guxo” dhe nga Lëvizja Vetëvendosje, por jo edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës- partisë të cilën e ka udhëhequr për shumë vjet Rugova.

Në Presidencë thonë se edhe këta të fundit kanë qenë të ftuar.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Bekim Kupina nga Presidenca, duke shpjeguar se të ftuar kanë qenë: kryetari LDK-së Lumir Abdixhiku, nënkryetari Anton Çuni dhe sekretari i përgjithshëm Imri Ahmeti.

“Ftesa kanë pasë…siç e patë nuk kanë ardhë”- është përgjigjur shkurt këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina.

I  pyetur për mospraninë në këtë ngjarje, nënkryetari i LDK-së Anton Çuni është përgjigjur se ka pasur disa angazhime tjera në të njëjtën kohë.

“Thjesht nuk mundem me arritë në shumë vende në të njëjtën kohë. Jetoj në Prizren, homazhe në Klinë, seanca në 13.00, etj”- është përgjigjur Çuni.

Lidhur me këtë, KALLXO.com gjatë ditës së sotme, ka tentuar të marr një përgjigje edhe nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe nga sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Imri Ahmeti, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm përmes telefonit.

Po ashtu KALLXO.com ka dërguar pyetje me shkrim dhe ka tentuar  të marrë sqarim edhe nga zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, por deri në publikimin e shkrimit, ai nuk është përgjigjur.

Presidentja Vjosa Osmani gjatë përurimit të librit “Liria si imanencë njerëzore” ka thënë se: “Presidenti Rugova ishte dhe vazhdon të mbetet udhërrëfyesi ynë, ora e mirë e Kosovës dhe ndërtuesi i aleancave tona strategjike me perëndimin e në veçanti me aleatin kryesor dhe të pazëvendësueshëm, SHBA-në”.

Përurohet libri me fjalimet e ish-presidentit, Osmani: Ibrahim Rugova mbetet udhërrëfyesi ynë