Foto: BBC

Zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë u zunë të papërgatitur nga përshkallëzimi me shefin e Wagner, thonë burimet

Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarët perëndimorë po tregohen të kujdesshëm që të mos flasin shumë mbi ngjarjet që po shpalosen në Rusi për shkak të mënyrës sesi Presidenti rus Vladimir Putin mund të përdorte çdo përfshirje nga Perëndimi në krizën në përshkallëzim, thanë për CNN burime të njohura të administratës së presidentit amerikan Joe Biden.

Zyrtarët në të gjithë administratën mblodhën takime urgjente të premten mbrëma për të vlerësuar ngjarjet, të cilat u shpalosën aq shpejt saqë i kapën zyrtarët amerikanë dhe evropianë në befasi, thanë burimet.

Derisa tensionet janë rritur vazhdimisht gjatë muajve të fundit midis shefit të Wagner-it, Yevgeny Prigozhin dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, zyrtarët e inteligjencës amerikane dhe evropiane nuk parashikuan se Prigozhin do bënte lëvizje për të sulmuar rajonin e Rostovit me forcat e tij, thanë burime të njohura me inteligjencën për CNN.

Një zyrtar i inteligjencës evropiane  tha se “temperatura ishte padyshim duke u rritur”, por pak mund të kishin parashikuar se çfarë po planifikonte Prigozhin.

Zyrtari tha se Perëndimi do të vëzhgojë se si do të rrjedhë situata gjatë 24 deri në 48 orët e ardhshme, pas së cilës mungesat e furnizimit ka të ngjarë të fillojnë për forcat Wagner.

Nuk është e qartë për zyrtarët amerikanë apo evropianë se për sa kohë Prigozhin po planifikonte sulmin.

Një burim tjetër theksoi se Rostov është shumë afër vijës së frontit në Ukrainë, kështu që mund të mos ketë kërkuar shumë paramendim për organizim sulmi.

Grupi rebel i mercenarëve Wagner thotë se ka marrë kontrollin e Rostov-on-Don në Rusinë jugore gjithashtu vende kyçe në Voronezh, një qytet më në veri.

Rebelimi nisi pasi kreu i Wagner akuzoi Rusinë për vrasje të ushtarëve të këtij grupi.