Gjimnazi 'Hamdi Berisha' - Malishevë

Zv/drejtori i dyshuar për sulm seksual në Malishevë, flasin nga Drejtoria e Arsimit

Zëvendësdrejtori i Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë do të përballet me masat ndëshkuese për shkak të dyshimit se i njëjti ka ngacmuar seksualisht një nxënëse e moshës së mitur në po të njëjtën shkollë.

Kështu ka thënë për KALLXO.com, ushtruesi i detyrës së drejtorit të arsimit në Malishevë, Enver Mazreku.

“Fillimisht mesa e di [zëvendësdrejtori] mund të shkojë drejtë një suspendimi të përkohshëm me pagesë deri në një shqyrtim që mund të na vie nga organet kompetente për masa të tjera të cilat mund të vlejnë”, ka thënë Mazreku.

I njëjti ka thënë se do t’i drejtohen institucioneve kompetente të cilat janë brenda kësaj komune dhe të cilët sipas Mazrekut e kanë prioritetin për t’i trajtuar këto raste.

“Ata vlerësojnë se cilat janë masat adekuate”, tha ai.

Mazreku shtoi se do të konsultohen me zyrtarët ligjorë brenda DKA-së dhe ata të Zyrës së Kryetarit për të marrë masa që janë në përputhje me ligjin.

KALLXO.com ka kontaktuar dhe me Drejtorin e Gjimnazit në Malishevë, Izet Hoti.

Ai ka thënë se ka mbetur të shihet se çfarë do të ndërmarrin organet kompetente.

“Thjeshtë janë të njoftuara organet e sigurisë dhe ato komunale, tash ta shohim, është kompetencë e tyre për masa të mëtutjeshme”, u shpreh Hoti.

Gjatë ditës së sotme, KALLXO.com raportoi se zëvendësdrejtori i Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë është arrestuar, pasi babai i një nxënëseje të kësaj shkolle ka raportuar se kjo e fundit dyshohet se ishte ngacmuar seksualisht nga i dyshuari.

Policia me të marrë informacionin menjëherë kishte ndërmarrë veprimet e mëtutjeshme duke arrestuar zëvendësdrejtorin, ndërsa kishin njoftuar edhe Prokurorinë e Shtetit për rastin.

Prokurori kujdestar pas njoftimit ka urdhëruar që zëvendësdrejtori të dërgohet në ndalim për 48 orë.

Rasti është cilësuar si sulm seksual. Në anën tjetër kjo vepër penale është e dënueshme deri në 15 vite burgim.

 

Arrestohet zv/drejtori i gjimnazit në Malishevë, dyshohet për sulm seksual ndaj një nxënëseje