Ilustrim

Arrestohet zv/drejtori i gjimnazit në Malishevë, dyshohet për sulm seksual ndaj një nxënëseje

Një nxënëse e mitur ka raportuar se zëvendës drejtori i Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë dyshohet se e ka sulmuar seksualisht në tualet.

Policia e Rajonit të Gjakovës raportimin e ka pranuar mbrëmë rreth orës 21:30 nga babai i nxënëses së mitur.

Zëdhënësi i Policisë së Gjakovës, Nysret Xhurkaj ka thënë për KALLXO.com se ngacmimi seksual dyshohet se është bërë nga ana e zëvendësdrejtorit të gjimnazit në njërin prej tualeteve të shkollës.

“Ngjarja sipas ankuesit kishte ndodhur në njërën nga banjot e kësaj shkolle kur viktima ishte brenda në tualet dhe aty kishte hyrë (zëvendësdrejtori) dhe e kishte ngacmuar seksualisht viktimën”, tha Xhurkaj për KALLXO.com.

Xhurkaj shtoi se në lidhje me rastin janë intervistuar edhe disa dëshmitarë.

“Hetimet janë në fazën e grumbullimit të provave të tjera dhe për zhvillime të mëtejme ju njoftojmë me raport shtesë”, thotë tutje Xhurkaj.

Zëvendësdrejtori i gjimnazit “Hamdi Berisha” është dërguar në ndalim për 48 orë.