ZKA: Pa bazë ligjore RTK shkurtoi afatet për pranimin e dosjeve të tenderit

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Radio Televizioni i Kosovës (RTK) në tri procedura të prokurimit me vlerë së bashku prej 119 mijë e 376 euro kishte shkurtuar afatet kohore për pranimin e dosjes së tenderit nga ‘jo më pak se 20 ditë’ në 13 dhe 15 ditë. 

Sipas ZKA-së, “shkurtimi i afateve për pranimin e ofertave me arsye të pabazuara në ligj ndikon që të vështirësohet pjesëmarrja e të gjithë OE-ve për shkak të kohës së shkurtër për përgatitje të kërkesave të dosjes së tenderit”. 

RTK kishte bërë shkurtimin e afatave kohore për pranimin e dosjeve të tenderit për kontratat “Shërbime teknike për Festivalin e Këngës në RTK” ; “Blerja e kompjuterëve All in One” dhe “LED TV AK dhe pajisje për studio”.

ZKA i ka rekomanduar bordit të RTK-së, që “ashtu si edhe viteve të kaluara, që të sigurojë vendosjen e kontrolleve të brendshme përgjatë procesit të zhvillimit të procedurave të prokurimit në përshtatje me Ligjin e Prokurimit Publik, udhëzuesit dhe rregullave për procedurat e prokurimit në mënyrë që të respektohen afatet kohore të përcaktuara ligjore për pranimin e ofertave”.

Sipas zyrtarit përgjegjës të prokurimit inicimi është bërë me vonesë, ndërsa departamenti apo iniciuesi i kërkesës e kishte vlerësuar situatën se ka nevojë për shkurtimin e afateve për realizimin e projekteve.

Menaxhmenti i RTK-së është pajtuar me këtë gjetje.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur gjithashtu se gjatë procesit të vlerësimit të tenderit me titull “Kamera PTZ dhe pajisje përcjellëse” në vlerë 53 mijë euro kishte pasur dobësi gjatë vlerësimit. 

ZKA ka vërejtur se në ofertën e operatorit ekonomik ka pasur mangësi në listen e kontratave për tri vitet e fundit pasi që në listen e ofruar nuk ishin saktësuar furnizimet apo shërbimet e realizuara në fushën e radiodifuzionit apo të ngjashme. 

“Po ashtu, në listen e ofruar nuk janë specifikuar periudhat kur janë realizuar kontratat edhe pse si kërkesë ishte për tri vitet e fundit. Përkundër kësaj, komisioni vlerësues kishte vlerësuar si të plotësuar këtë kriter”- theksohet në raportin e ZKA-së. 

Ky institucion thotë se “mosplotësimi i kriterit të dosjes së tenderit nga OE, moskërkesa për sqarime shtesë nga RTK dhe dobësitë gjatë procesit të vlerësimit të ofertave, mund të shpie në diskriminim të OE, mostransparencë dhe përzgjedhje të OE jo të përgjegjshëm”. 

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e vitit 2022, i publikuar më 27.06.2023, për të cilin KALLXO.com kishte raportuar, liston një grumbull parregullësish financiare që ishin hasur gjatë menaxhimit të RTK-së në vitin 2022, vit ky në të cilin udhëheqës i menaxhmentit të RTK-së ishte Shkumbin Ahmetxhekaj dhe kryetar i bordit ishte Besnik Boletini.

Një prej arsyeve pse Auditori konstatoi se ka patur shkelje në mënyrën e shpenzimit të buxhetit ishte shpenzimi i rreth gjysmë milioni euro i buxhetit të RTK-së për blerje të shërbimeve të ndryshme duke i shkelur rregullat e prokurimit publik dhe duke aplikuar tenderë një-burimor pa i respektuar procedurat e prokurimit.

Auditori kishte gjetur tërhequr vërejtjen ndaj menaxhmentit dhe bordit të RTK-së për anashkalimin e procedurave të prokurimit në disa kontrata njëburimore. 

Auditorët mund të japin tre lloje opinionesh të modifikuara: opinion të kualifikuar, opinion të kundërt dhe mohim të opinionit.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për Radio Televizionin e Kosovës në raportin vjetor për pasqyrat finaciare për vitin 2023. Auditori jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet. 

“RTK nuk ka bërë rivlerësimin e pasurive…Në regjistrin kontabël figurojnë 134 pasuri joqarkulluese me kosto historike në vlerën 677.767 euro që janë  zhvlerësuar në tërësi dhe vlera neto e tyre në libra është zero” – thuhet në bazën për opionionin e kualifikuar.

Opinion të kualifikuar RTK kishte marrë edhe në raportin e kaluar të auditimit.

Në raportin e auditimit për vitin 2023, që është publikuar më 27.05.2024, thuhet se nga 12 rekomandime të dhëna vitin e kaluar (raporti për vitin 2022) për RTK-në, 11 nga to janë zbatuar ndërsa një rekomandim është zbatuar pjesërisht.

Numri i rekomandimeve në raportin e vitit 2023 ka rënë në krahasim me raportin për vitin 2022. Radio Televizioni i Kosovës ka marrë gjithsej 7 rekomandime, 6 nga rekomandimet janë të reja ndërsa një është i përsëritur. 

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2023, gjetjet dhe rekomandimet mund t’i gjeni KëTU