Përparim Rama, 19.02.2024

Zjarri në Shtëpinë për persona të moshuar, Përparim Rama shkon në vendin e ngjarjes

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka shkuar te Shtëpia për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, pasi ky objekt është përfshirë nga zjarri.

Rama në një prononcim para mediave tha se zjarri e ka përfshirë një dhomë, dhe se gjendja aktualisht është stabile.

“Të gjithë banorët janë të sigurtë, janë evakuuar. Zjarri ka dalë prej një dhome. Tash do të shohim se përse ka ndodhur ai zjarr, çka e ka shkaktu. Ekipet mjekësore janë këtu, për t’i shiku nëse ka nevojë dikush për trajtim mjekësor. Për momentin gjendja është stabile” – tha Rama.

Një incident zjarri është regjistruar në 18:00h në rrugën “Afrim Loxha” në Prishtinë, saktësisht në Shtëpinë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare.

Policia e ka konfirmuar për KALLXO.com duke shtuar se në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët po merren me rastin.

“Zjarri është lokalizuar dhe bazuar në informatat e deritanishme,  raportohet për persona që kanë kërkuar ndihmë për shkak të vështërsimit të frymarrjes nga tymi” – ka njoftuar Policia më 19.02.2024

Sipas organeve të rendit nuk ka ndonjë person të lënduar.

Shënim: Ky tekst është edituar në titull dhe në tekst. Emri i institucionit ku ka ndodhur zjarri nga Shtëpia e Pleqve është zëvendësuar me emrin e saktë të institucionit: Shtëpia për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare. Koha e editimit 22:55, më 19.02.2024