Zhvillimet në veri - Rritet presioni i Perëndimit ndaj Kosovës

Ndërkohë që protestat e serbëve lokalë në veri të Kosovës po vazhdojnë, Perëndimi ka rritur presionin ndaj Kosovës për siç thonë ata shtendosje të situatës në komunat me shumicë serbe në veri, duke kërkuar mes tjerash mbajtjen e zgjedhjeve të reja në 4 komuna.

Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka publikuar tri kërkesa të qarta për të dalë nga kriza në veri: Zgjedhjet e reja lokale, sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe fillimi i punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Ndërkaq, krerët e institucioneve të Kosovës – Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë thënë se janë të angazhuar për shtensionim të situatës në komunat e veriut.
________________________________________________________________________________________________

16:45 – Forcat e KFOR-it rrugës për në Leposaviq 

Forca të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR-it, po qëndrojnë në veri të Kosovës, përkatësisht tek vendi i njohur si “Dudi Kërshit”, rrugës për në Leposaviq.

Ekipi i KALLXO.com ka dërguar foto nga vendi i ngjarjes.

Forcat e KFOR-it rrugës për në Leposaviq  Foto: KALLXO.com 2 qershor 2023
Forcat e KFOR-it rrugës për në Leposaviq  Foto: KALLXO.com 2 qershor 2023

15:50 – Protestuesve në Zveçan iu sjellin televizor, për ta parë ndeshjen e tenistit serb Novak Gjokoviq

Në hapësirat ku janë duke qëndruar kryesia e Listës Serbe, saktësisht kryetari i kësaj partie Goran Rakiq dhe nënkryetari Igor Simiq është sjellë një televizor, për të shikuar një ndeshje tenisi, të tenistit serb, Novak Gjokoviq, që po luan në kuadër të “French Open” ndaj spanjollit Alejandro Davidovich Fokina.

Pamjet që transmetohen nga ky televizor po ndiqen nga dhjetëra banorë të Zveçanit që janë duke protestuar edhe sot.

Aktualisht protestuesit janë të paktë në numër, përderisa situata është e qetë.

Sot është dita e pestë e protestave në komunat veriore.

 

15:10 –  Zveçan, vazhdon nënshkrimi në listë i punëtorëve komunalë serbë 

Punëtorët komunalë serbë edhe sot kanë vazhduar të nënshkruhen në listën që është vendosur pranë pengesave të KFOR-it në Zveçan.

Një proces i njëjtë ka ndodhur edhe dje, ku punëtoret janë nënshkruar në mëngjes e pastaj edhe rreth orës 15:00.

Të enjten, qytetarët që kanë hedhur nënshkrimet i kanë thënë KALLXO.com, se ata që po nënshkruhen janë zyrtarë komunale të Komunës së Zveçanit dhe se në këtë listë po nënshkruhen për të treguar se nuk po mund të futen në objektin komunal për të vazhduar punën e tyre.

Kurse, sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kjo është një trysni që po u bëhet qytetarëve të komunitetit serb për të kryer veprime jashtë vullnetit të tyre.

Zveçan
Zveçan, 2 qershor 2023

14:50 – Dita e pestë e protestave, situatë e qetë në Leposaviq

Situatë e qetë po vazhdon të jetë në Leposaviq në ditën e pestë të protestave, të cilët serbët lokalë i kanë filluar që nga e premtja e 26 majit.

Ekipi i KALLXO.com raporton se ani pse qytetarët janë grumbulluar në afërsi të objektit të kuvendit komunal, numri i protestuesve duket të jetë më i vogël se zakonisht.

Ndërkaq, objekti i komunës vazhdon të jetë i rrethuar nga telat me gjemba të KFOR-it gjersa pranë këtij institucioni nuk mungon as automjeti i KFOR-it dhe ushtarët që po përkujdesjen për ruajtën e rendit.

Pamjet nga vendi i ngjarjes:

 

13:45 – Lajçak dhe Escobar vizitojnë Kosovën dhe Serbinë javën e ardhshme

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkan Gabriel Escobar pritet të vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin javën që vjen, më saktësisht të hënën dhe të martën, kanë bërë të ditur burimet diplomatike në Bruksel për Radion Evropa e Lirë.

Vizita e tyre, sipas këtyre burimeve, do të ketë dy qëllime kryesore:

Qëllimi i parë është gjetja e zgjidhjes për të dalë nga situata aktuale e cila rrezikon të dëmtojë gjithë atë që BE-ja e konsideron si sukses në dialog. Pra, fokusi së pari do të jetë në uljen e tensioneve dhe vazhdimi i përpjekjeve në bazë të asaj që është propozuar pas takimit në Moldavi.

Në Moldavi, më 1 qershor, udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës, Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës, gjatë takimit të tyre me presidentët e të dy vendeve, Vjosa Osmanin dhe Aleksandar Vuçiqin.

Ndërsa qëllimi i dytë do të jetë vazhdimi i punës në sekuencimin e hapave për të zbatuar marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe aneksin për të cilin palët ishin pajtuar në Ohër.

12:21 – Krasniqi – Kurtit: Vallahi nuk të lejojmë me rreziku raportin me Amerikën – VIDEO

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se nuk do ta lejojnë kryeministrin Albin Kurti, të rrezikojë raportin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai tha se raporti me SHBA-në është i shenjtë.

Video e plotë:

11:27 – Kurti u bën thirrje qytetarëve të kujdesen se si informohen për situatën në veri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po raporton në Kuvendin e Kosovës për zhvillimet e javës së fundit në 3 komunat veriore.

Duke folur për situatën atje, Kurti ka treguar se në Kosovë ka rritje të ndërhyrjeve të huaja në formën e fushatave të dezinformimit dhe keqinformimit.

Sipas Kurtit, ato fushata po organizohen nga disa aktorë, veçanërisht Kina dhe Rusia.

“Parlamenti Evropian në raportin për Kosovën në muajin që lamë pas, tek pjesa e demokracisë dhe sundimi i ligjit na u tha që është i shqetësuar për rritjen e ndërhyrjeve të huaja keqdashëse në formën e fushatave të dezinformimit dhe keqinformimit të organizuar nga disa aktorë veçanërisht Rusia dhe Kina”- ka deklaruar ai.

Kryeministri u ka bërë thirrje qytetarëve të kenë kujdes se ku, kur dhe si informohen duke i këshilluar të përcjellin komunikatat që lëshohen nga Policia e Kosovës.

“Andaj të gjithë qytetarët e Republikës, të gjithë zyrtarët e shtetit, të gjithë përfaqësuesit e popullit i lus të kenë kujdes ku, kur dhe si informohen. Përcillni komunikatat e Policisë së Republikës, aty i keni të vërtetën. Për gjendjen në terren, deklaratat që lëshohen nga organet tona të sigurisë janë ato që janë edhe të sakta edhe të vërteta”- theksoi Kurti.

11:20 – Dita e pestë e protestave – situatë e qetë sot në Zveçan

Janë bërë pesë ditë prej kur qytetarët serbë kanë filluar protestat e tyre në veri të vendit.

Një numër i qytetarëve është parë edhe sot në rrugën që të dërgon në ndërtesën komunale në Zveçan, ku pranë tyre po qëndron edhe kryesia e Listës Serbe. Situata aktualisht është e qetë.

Ekipi i KALLXO.com është duke qëndruar në këtë komunë dhe duke raportuar për të rejat e fundit.

11:05 – Kurti: Shoqërimi i kryetarëve nga policia ka qenë vlerësim i organeve të sigurisë, jo vendim politik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hyrja e kryetarëve në ndërtesat e komunave të Leposaviqit, Zubin Potokut, Mitrovicës së Veriut e Zveçanit nën shoqërimin e Policisë së Kosovës ka qenë vlerësim i organeve të sigurisë dhe jo vendim politik.

“Shoqërimi i kryetarëve të ri më forca të sigurisë është vlerësim i institucioneve të sigurisë të cilët vlerësojnë shkallën e rrezikshmërisë, pra nuk është vendim politik, por unë si kryeministër e mbështes këtë, edhe atëherë edhe sot. Kanë vlerësuar drejtë, dhe në ditët në vijim u dëshmua që kanë vlerësuar drejtë” – tha Kurti para deputetëve.

Sipas Kurtit prezenca e policisë ka qenë e justifikuar pasi që është dashur të sigurohet hyrja e tyre e papenguar.

10:50 – Kuvendi i Kosovës debat parlamentar për situatën në veri të Kosovës

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të veçantë, me rend dite: Debat parlamentar për situatën në veri të Kosovës.

Drejtpërdrejt:

10:36 – Protestuesit në Zveçan thonë se “duan të punojnë” në komunë

Të premten, para protestuesve në Zveçan foli Natasha Aksenitijeviq, nga Autoriteti i Përkohshëm Komunal, i cili punon në sistemin serb. Ai tha se “ata janë penguar të ofrojnë shërbime për qytetarët dhe se janë të rrezikuar”, raporton REL.

Në ndërtesën komunale në Zveçan, e cila është siguruar nga KFOR-i që nga e hëna, është vendosur kryetari i ri shqiptar ku më parë punohej vetëm sipas sistemit serb .

Serbët atje po protestojnë sepse nuk e pranojnë kryetarin shqiptar, i cili i fitoi zgjedhjet lokale të prillit në Kosovë. Këto zgjedhje komuniteti serb i bojkotoi.

“Ajo që kërkojmë është që forcat speciale të largohen menjëherë nga ndërtesa, që ne të kthehemi në zyrat tona dhe të vazhdojmë punën tonë… dhe të mos vijë ai kryetar fals në Zveçanin tonë se ne nuk e kemi zgjedhur”, tha Aksentijeviq.

Në emër të mësimdhënësve foli Ana Galjak, mësuese në shkollën e mesme në Zveçan, e cila tha se “të gjithë fëmijët kanë të drejtë për paqe”.

“Kushtet këtu janë të pamundura për punë, të pamundura që fëmijët tanë të qëndrojnë në shkollë”, tha ajo.

Institucionet arsimore në Kosovë në zonat serbe punojnë sipas sistemit serb.

09:01 – Murphy kërkon “angazhim agresiv” të SHBA-së në Ballkan

Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, Chris Murphy, tha se Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen “në mënyrë agresive” në Ballkan dhe fajësoi autoritetet e Kosovës për tensionet aktuale në veri të vendit.

“Ne duhet të angazhohemi në mënyrë agresive në Ballkan për të mbrojtur paqen, sepse tani nuk mund ta përballojmë shuarjen e zjarreve të vërteta në atë rajon”, tha Murphy në një intervistë për National Journal, pas kthimit në Uashington nga një turne ballkanik, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta, prej se Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të tri komunave me shumicë serbe – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – të hyjnë në ndërtesat komunale, më 26 maj, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Revolta e tyre u shndërrua në përleshje të dhunshme me pjesëtarë të misionit të NATO-s, KFOR, më 29 maj.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, fajësoi Qeverinë e Kosovës për veprimet që çuan në “përshkallëzim të tensioneve në veri dhe rritje të destabilitetit”.

Murphy, i cili u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, më 22 maj, u pajtua me Blinkenin se situata mund të ishte zgjidhur me diplomaci dhe jo me forcë.

“Ai nuk duhej të lëvizte aq shpejt me vendimin për t’i marrë ato ndërtesa [komunale]”, tha Murphy.

“Ai mund të priste dhe të përpiqej ta zgjidhte këtë nëpërmjet ndërmjetësve si Shtetet e Bashkuara”, tha senatori amerikan.

Kjo situatë, sipas tij, i dha Rusisë mundësi për të nxitur trazira.

“Rusia luan lojëra në Ballkan. Ajo përpiqet të nxisë përçarje dhe konflikte. Ajo shpreson se do të ketë konflikt në Ballkan, një konflikt real kinetik që do të largonte Shtetet e Bashkuara dhe Evropën nga konflikti në Ukrainë”, tha Murphy.

Murphy tha se shpreson që kur të qetësohet situata në veri të Kosovës, njerëzit ta kthejnë vëmendjen te zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

08:50 – Qindra protestues në Zveçan

Qindra protestues serbë u mblodhën në orët e hershme të mëngjesit të së premtes në Zveçan, për të vazhduar protestën kundër kryetarit shqiptar të komunës.

Kujtojmë se Zveçani ishte skenë e përleshjeve të dhunshme midis protestuesve dhe ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, më 29 maj, raporton REL.

Protestat, ditëve të fundit, ishin kryesisht të qeta.

2 qershor 2023, Foto: REL/RFE

08:45 – Politico.eu: Kryeministri i Kosovës e konsideron reagimin e SHBA ndaj trazirave të dhunshme si ‘reagim të tepruar’

Perëndimi po e qetëson Serbinë, thotë Albin Kurti për POLITICO, duke argumentuar se Beogradi do ta përcaktojë nëse përplasjet e fundit do të shndërrohen në një konflikt më të gjerë.

Vendimi i SHBA-së për ta penalizuar Kosovën pas përleshjeve të dhunshme që rezultuan me dhjetëra trupa të NATO-s të plagosur është edhe befasues dhe një “reagim i tepruar”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës Albin Kurti të mërkurën për POLITICO.

SHBA-të dhe aleatët e saj perëndimorë e kanë qortuar ashpër Prishtinën mes tensioneve në rritje në rajon lidhur me vendimin e Kosovës për t’i vendosur me forcë kryetarët shqiptarë etnikë në ndërtesat komunale në zonat me shumicë serbe, pavarësisht një pjesëmarrjeje prej nën 4 për qind në zgjedhjet e fundit lokale.

Në përgjigje të krizës në thellim, Uashingtoni shkoi deri aty sa anuloi pjesëmarrjen e Kosovës në një stërvitje ushtarake të udhëhequr nga SHBA dhe deklaroi se tani ka pak entuziazëm për ta ndihmuar Kosovën të vazhdojë tutje drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.

“Ne kemi një ndryshim të vogël në qasje – dhe mendoj se të menduarit për sanksione kundër Kosovës duket jashtë proporcionit dhe i padrejtë”, tha Kurti në një intervistë në margjinat e konferencës GLOBSEC në Bratislavë. “Isha i befasuar”, shtoi ai, duke e karakterizuar përgjigjen amerikane si një “reagim të tepruar”.

NATO këtë javë mori vendim për dërgimin e 700 trupa shtesë paqeruajtëse në Kosovë pasi 30 ushtarë nga Forca e Kosovës (KFOR) e udhëhequr nga NATO u plagosën gjatë një konfrontimi me protestuesit serbë të hënën.

08:30 – Borrell: Kemi 3 kërkesa të qarta për Kosovën, mosrealizimi do të ketë pasoja

Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka publikuar tri kërkesa të qarta për të dalë nga kriza në veri.

“Zgjedhjet e reja lokale tani, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës dhe fillimi i punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe me dialogun e lehtësuar nga BE-ja”- janë kërkesat.

Borrell ka thënë se mosrealizimi i tyre do të ketë pasoja të rënda.

“Dështimi për ta bërë këtë, do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet tona”- ka shkruar Borrell në Twitter.