Presidentja Vjosa Osmani flet për mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të reja në veri
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar për mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.
Osmani ka thënë se ligjet e Kosovës e mundësojnë një gjë të tillë nëse ka përqindje të qytetarëve në veri që iniciojnë procedurat.
“Ligjet tona lejojnë zgjedhje të reja nëse ka përqindje të caktuar të qytetarëve që iniciojnë një procedurë të tillë, në qoftë se ka procedura të tilla institucionet tona detyrohen të veprojnë. U takon qytetarëve të këtyre komunave që a dëshirojnë zgjedhje të reja. Ekziston rruga ligjore për t’i organizuar ato shumë shpejt, i procedojnë peticionet e tyre”- ka thënë Osmani për RTK.
Osmani tutje ka thënë se kur shkaktohen zgjedhje të reja është me rëndësi që qytetarët serbë të marrin pjesë në këtë proces.
“Natyrisht që kur shkaktohen zgjedhje të reja me rëndësi është që ata të participojnë. Të marrin pjesë edhe si kandidatë por në të njëjtën kohë edhe të marrin pjesë në zgjedhje dhe kështu sigurohet edhe legjitimiteti më i madh i kryetarëve”- ka thënë ajo.
Osmani ka bërë të ditur se sot është zhvilluar një takim i shkurtër i përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku ishin të pranishëm edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Sipas Osmanit, në këtë takim edhe njëherë u dëshmua se presidenti serb Vuçiq nuk është i interesuar për zgjidhje dhe as për paqe.
Presidentja Osmani ka shtuar se ka qenë kërkesë e qartë e Gjermanisë dhe Francës që kurdo që organizohen zgjedhje të reja të ketë participim të serbëve.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë sot se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.
“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron, i cili shtoi se u kërkua që të qartësohen edhe rregullat për zgjedhje.
Katër komunat e veriut të Kosovës që nga e premtja e javës së kaluar janë në një gjendje të tensionuar të sigurisë. Serbët në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq po vazhdojnë protestën e tyre për të pestën ditë më radhë.
Ata po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.
Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.
Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.
Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, kishte bërë thirrje për bojkotim të këtyre zgjedhjeve.
Komunat kishin mbetur pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, meqë përfaqësuesit serbë në atë zonë kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.