Politico.eu: Kryeministri i Kosovës e konsideron reagimin e SHBA ndaj trazirave të dhunshme si ‘reagim të tepruar’

Perëndimi po e qetëson Serbinë, thotë Albin Kurti për POLITICO, duke argumentuar se Beogradi do ta përcaktojë nëse përplasjet e fundit do të shndërrohen në një konflikt më të gjerë.

Vendimi i SHBA-së për ta penalizuar Kosovën pas përleshjeve të dhunshme që rezultuan me dhjetëra trupa të NATO-s të plagosur është edhe befasues dhe një “reagim i tepruar”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës Albin Kurti të mërkurën për POLITICO.

SHBA-të dhe aleatët e saj perëndimorë e kanë qortuar ashpër Prishtinën mes tensioneve në rritje në rajon lidhur me vendimin e Kosovës për t’i vendosur me forcë kryetarët shqiptarë etnikë në ndërtesat komunale në zonat me shumicë serbe, pavarësisht një pjesëmarrjeje prej nën 4 për qind në zgjedhjet e fundit lokale.

Në përgjigje të krizës në thellim, Uashingtoni shkoi deri aty sa anuloi pjesëmarrjen e Kosovës në një stërvitje ushtarake të udhëhequr nga SHBA dhe deklaroi se tani ka pak entuziazëm për ta ndihmuar Kosovën të vazhdojë tutje drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.

“Ne kemi një ndryshim të vogël në qasje – dhe mendoj se të menduarit për sanksione kundër Kosovës duket jashtë proporcionit dhe i padrejtë”, tha Kurti në një intervistë në margjinat e konferencës GLOBSEC në Bratislavë. “Isha i befasuar”, shtoi ai, duke e karakterizuar përgjigjen amerikane si një “reagim të tepruar”.

NATO këtë javë mori vendim për dërgimin e 700 trupa shtesë paqeruajtëse në Kosovë pasi 30 ushtarë nga Forca e Kosovës (KFOR) e udhëhequr nga NATO u plagosën gjatë një konfrontimi me protestuesit serbë të hënën.

Demonstratat ndërlidhen me zgjedhjet lokale në prill, të cilat serbët i bojkotuan për shkak të kërkesave të paplotësuara për të marrë më shumë autonomi, duke rezultuar në një pjesëmarrje të ulët dhe zgjedhje të kryetarëve komunalë me etni shqiptare. Kosova që atëherë ka mbajtur pozicion të fortë  se zyrtarët e zgjedhur duhet ta marrin detyrën, pavarësisht trazirave.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës. Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të ashpër dhe të panevojshme tensionet”, ka thënë në një deklaratë të martën Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. 

Blinken ka thënë gjithashtu se Kosova “duhet të sigurojë që kryetarët e zgjedhur t’i kryejnë detyrat e tyre transitore nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe t’i tërheqë forcat policore nga afërsia”.

Kurti megjithatë ka insistuar se forcat policore janë duke qëndruar në lokacionet e tyre.

“Turma e dhunshme duhet të largohet – ose duke shkuar në burg ose në Serbi”, ka deklaruar Kurti. Vetëm atëherë, shton Kurti, Kosova do ta “zvogëlojë numrin e policëve”.

Kryeministri e ka fajësuar qeverinë e Serbisë për rritjen e fundit të tensioneve. Dhe i pyetur nëse ka frikë se situata aktuale mund të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë, Kurti paralajmëroi: “Mundet”. Por, shtoi ai, kjo “varet” nga Beogradi.

Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, i cili ka luajtur një rol udhëheqës në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka thënë në një deklaratë të martën se ka qenë në kontakt me Kurtin dhe Vuçiqin.

Në fillim të këtij viti, Borrell ndihmoi gjithashtu në nënshkrimin e një marrëveshje tentative midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve. Por ky marrëveshje u bë përpara zgjedhjeve të prillit, duke ngritur pikëpyetje për vlefshmërinë e tij të vazhdueshme.

Në intervistën e së mërkurës, Kurti ka treguar se do të ishte i gatshëm të bisedonte me Vuçiqin nëse organizohet një takim. Mirëpo kryeministri e drejtoi gishtin edhe drejt kryeqyteteve perëndimore.

“Ajo që ne shohim nga Perëndimi demokratik është një qëndrim i caktuar qetësues,” tha ai. “Kjo është mënyra se si arritëm këtu.”/Politico.eu

Përgatiti: Nuhi Shala