Foto:ZKM

Kurti shprehet pro shtensionimit të situatës në veri, tregon se si mund të arrihet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar bisedë telefonike me zëvendës-këshilltarin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jonathan Finer.

Kurti në bisedën e tij ka theksuar se është i angazhuar të punojë së bashku me SHBA-të, për shtensionim të situatës në veri të vendit.

Ai shton se për tu arritur kjo, kërkohet ndalim i menjëhershëm i dhunës nga turmat kundër policëve, deri ën zgjedhjet e reja në ato komuna.

“I kënaqur të flisja me Zëvendës Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të presidentit Joe Biden, Jon Finer. E falënderova për thirrjen dhe jam i përkushtuar të punojë me SHBA-në për të shtensionuar situatën. Kjo kërkon një ndalim të menjëhershëm të dhunës, nga turmat e sponsorizuara nga Beogradi kundër oficerëve të sigurimit deri në zgjedhjet e reja në ato komuna”- ka shkruar Kurti.

Pothuajse të njëjtën deklaratë, kreu i ekzekutivit e ka përsëritur edhe në një bisedë në telefon me senatorët amerikanë, teksa ka shtuar se zbatimi i plotë i marrëveshjes bazë është rruga drejt shtensionimit të situatës.

“Gjithmonë mirë të flasësh me senatorët Chris Murphy, Pete Ricketts dhe Jeanne Shaheen. I falënderova për mbështetjen e tyre të gjatë ndaj Kosovës.  Largimi i turmave të dhunshme para ndërtesave të bashkive dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes Bazë është rruga drejt de-përshkallëzimit deri në zgjedhje të reja”- ka theksuar Kurti.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar për mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

Osmani ka thënë se ligjet e Kosovës e mundësojnë një gjë të tillë nëse ka përqindje të qytetarëve në veri që iniciojnë procedurat.

“Ligjet tona lejojnë zgjedhje të reja nëse ka përqindje të caktuar të qytetarëve që iniciojnë një procedurë të tillë, në qoftë se ka procedura të tilla institucionet tona detyrohen të veprojnë. U takon qytetarëve të këtyre komunave që a dëshirojnë zgjedhje të reja. Ekziston rruga ligjore për t’i organizuar ato shumë shpejt, i procedojnë peticionet e tyre”- ka thënë Osmani për RTK.

Osmani tutje ka thënë se kur shkaktohen zgjedhje të reja është me rëndësi që qytetarët serbë të marrin pjesë në këtë proces.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë sot se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.

“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron, i cili shtoi se u kërkua që të qartësohen edhe rregullat për zgjedhje.

Katër komunat e veriut të Kosovës që nga e premtja e javës së kaluar janë në një gjendje të tensionuar të sigurisë.  Serbët në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq po vazhdojnë protestën e tyre për të pestën ditë më radhë.

Ata po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.

Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, kishte bërë thirrje për bojkotim të këtyre zgjedhjeve.

Komunat kishin mbetur pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, meqë përfaqësuesit serbë në atë zonë kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe.