Zgjedhjet parlamentare në Ukrainë, partia e Zelenskiyt konsiderohet favorite

Në Ukrainë kanë nisur votimet për përbërjen e re të Parlamentit.

Në këto zgjedhje favorit shihet partia e presidentit të ri Volodymyr Zelenskiy, i cili po shpreson ta fitojë shumicën për t’i pasur duart e lira për ta realizuar premtimin e tij për rimëkëmbjen e vendit, raporton AFP.

I zgjedhur triumfalisht, Zelenskiy, një komedian i papërvojë në politikë, e ka shpërndarë Parlamentin menjëherë pas inaugurimit të tij dhe ka shpallur zgjedhjet e parakohshme për të përfituar nga elani i fitores së tij.

Në mungesë të një qeverie lojale gjatë dy muajve të udhëheqjes së tij, presidenti ka qenë i matur në deklarata.

Partia e Zelenskiyt synon ndryshime të mëdha dhe pastrimin e vendit nga korrupsioni i përhapur gjithandej.

Me këto premtime ai po synon ta joshë elektoratin e një prej vendeve më të varfra në Europë, i sfiduar nga një luftë kundër separatistëve prorusë që ka shkaktuar afro 13 mijë të vrarë në pesë vjet.

“Pas zgjedhjeve, një qeveri e re profesionistësh dhe teknokratësh do të formohet me qëllim që ta bëjë ekonominë ukrainase njërën prej më dinamikeve në Europë”, ka theksuar të enjten Zelenskiy.